Durrës, 29 mars 2014 – Një pensionist 72 vjeçar, nga Durrësi, që kishte punësuar një pastruese për t’i dhënë një dorë me punët e shtëpisë, ka konstatuar se ishte vjedhur nga kjo e fundit. Pensionisti ka vënë re se në vendin ku mbante paratë e kursyera mungonin 150 mijë lekë dhe 300 euro. Prej disa muajsh, ai kishte punësuar një 56 vjeçare nga Durrësi, P.T., e cila mesa duket përveçse i pastronte shtëpinë, i “pastronte” edhe paratë. Ajo që e bën edhe më interesante ngjarjen është fakti se menjëherë pasi ka kryer vjedhjen, ngjarje kjo e ndodhur në datë 20 mars, 56 vjeçarja është nisur drejt Italisë. Duket se pastruesja i ka dhuruar vetes disa ditë pushimi me lekët e pensionistit. Ky i fundit, pasi ka pritur për disa ditë kthimin e 56 vjeçares, ka vendosur të premten që të bëjë denoncimin në polici për vjedhjen e realizuar nga pastruesja. Policia ka nisur punën për të zbuluar vendndodhjen e 56 vjeçares në mënyrë që më pas të procedojë me ndalimin e saj.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/