Tiranë, 29 mars 2014 – Linda Rama është shtatzënë. Çifti kryeministror pret një bebe në familjen e re, tre vjet e gjysëm pas martesës së tyre. Lajmi që prej ditësh qarkullonte si thashethem, sot më në fund është i konfirmuar. Shqiptarja.com mori pohim zyrtar drejtpërdrejtë nga burime të sigurta pranë çiftit Rama, duke qartësuar në këtë mënyrë misterin që qarkullonte prej disa javësh, pas një humbje të lehtë ndjenjash nga Linda në Hotel Sheraton, në aktivitetin e festimeve për përvjetorin e Pavarësisë së Kosovës.

Familja Rama këto javë nuk ka bërë asnjë përgënjeshtrim, por edhe nuk ka konfirmuar një lajm që dukej se ishte i parakohshëm për ta shpërndarë deri në pohimin e marrë mbrëmë.
 
“Linda ndjehet mirë, – na thotë një burim shumë i afërt me familjen e kryeministrit, – dhe pavarësisht shtatzanisë vazhdon të shkojë rregullisht në zyrë e të punojë normalisht, ndërsa Edi Rama është shumë i lumtur që ribëhet baba”. I vetmi sekret mbetet se në ç’muaj të shtatzanisë është Linda. Si për Edi Ramën ashtu dhe për Lindën është një rikthim në atësi dhe mëmësi. Linda është mamaja e Reas, tashmë e rritur, studente në Universitet, vajza e lindur nga martesa e parë. Ashtu si dhe Edi Rama, babai i Gregut, student në Universitet dhe ai, lindur nga martesa e parë e kryeministrit të vendit.

Linda dhe Edi Rama, u dashuruan në 2010, por lajmi i martesës së tyre doli në media në mënyrë të papritur, vetëm në fund të shtatorit të atij viti. Më 19 tetor 2010 ata u martuan në një ceremoni civile në një lokal në periferi të Tiranës.

Në festën e Ilir Metës, të hënën e kaluar, Linda Rama, qëndroi gjatë gjithë kohës e ulur në tavolinë pa u ngritur asnjeherë dhe e veshur me fustan të gjerë. Ndërsa Rama, shpesh afrohej ndaj saj me ëmbëlsi. Një tjetër sinjal dhe nga faqja Facebook e Edi Ramës, ku prej disa javësh, si foto kopertine mban foton e tij me një fëmijë që e ngre në krah drejt qiellit. Eshtë vajzë. Është dhe ky një sinjal për seksin e bebes? Për Lindën dhe Edin mbarësi dhe urimet më të mira për beben që ka nisur rrugën të vijë.

/Shqiptarja.com/