28 mars 2014 – Angelina Jolie sërish në rreshtin e parë në betejat civile dhe në mbrojtje të grave. Në rolin e ambasadores së UNHCR, aktorja ka shkuar në Sarajevë bashkë me kreun e diplomacisë britanike, William Hague, ku ka marrë pjesë në një konferencë mbi dhunën seksuale ndaj grave në kohë luftërash.
Për Jolie ky është një rikthim “në atdhe”, duke pasur parasysh se ajo është shpallur qytetare nderi e Sarajevës, që prej vitit 2011, kur xhiroi në Bosnje një film mbi dhunën që kanë pësuar gratë boshnjake gjatë luftës. E veshur me të zeza dhe me një shami të zezë në kokë, Angelina nuk ka mundur ti mbajë lotët teksa ka bërë homazhe në lapidarin e ngritur për të nderuar viktimat e genocidit në Srebrenicë, ku 8000 burra dhe djem mysliman u masakruan brenda 5 ditësh nga forcat serbe.
Më pas ajo ka mbajtur një fjalim gjatë takimit të organizuar nga ministri boshnjak i Mbrojtjes, për tu takuar më pas me përfaqësues të qeverisë mes të cilëve Bakir Izetbegovic.






