Turqi, 28 mars 2014 – Majlinda Kelmendi ka fituar sot edhe një tjetër medalje të artë. Kësaj radhe sportistja kosovare ka triumfuar në turneun ndërkombëtar Grand Prix që u mbajt në Samsun të Turqisë. Majlinda për herë të dytë fitoi në këtë turne, pasi edhe vitin e kaluar triumfoi në këtë eveniment. Xhudistja e Kosovës bëri paraqitje fenomenale në grupin A.
Rrethin e parë e tejkaloi pa luftë, më pas ndeshet me rumunen Larisa Florian, të cilën e gjunjëzoi për 4 minuta. Në rrethin e tretë ishte më e mirë se ukrainasja Mariia Buiok, të cilën e mundi për katër minuta dhe siguroi kualifikimin në gjysmëfinale. Majlinda ballafaqohet me gjermanen Romy Tarangul dhe triumfoi për katër minuta, ndërsa në finale u takua italianen Odette Giuffrida. Majlinda në finale tregoi zemër të madhe duke bërë që të ngrinte lart trofeun në fund të takimit.
Ajo triumfoi për dy minuta e 16 sekonda dhe fitoi medaljen e artë. Një medalje e madhe jo vetëm për të, por edhe për shtetin e Kosovës. Një fitore e madhe në prag të Kampionatit Europian e cila do të zhvillohet me 24-27 prill në Montpellier të Francës.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





