37– Senati romak emëron Kaligulën Perandor. Emri i tij i vërtetë ishte Gaius Julius Caesar Augustus Germanicus, por kur ishte fëmijë, dy ose tre vjeç, Gaius, ndërsa shoqëronte atin e tij, Germanicus, në fushata, vishej me uniformë, përfshi këpucë ushtarake, prej këtyre iu dha emri "Caligula –  “Këpuca”. Kur disa mbretër erdhën në Romë për t'i bërë nderime dhe për të argumentuar mbi fisnikërinë e prejardhjes së tyre, Kaligula u tha "Le të ketë vetëm një Zot, dhe ky të jetë Mbreti", duke aluduar për veten e tij. Thuajse të gjitha burimet e mbijetuara e karakterizojnë Kaligulën si të çmendur. Seneka thotë se Kaligula u bë arrogant dhe fyes që kur u shpall perandor.  Sipas Josephus, fuqia a pushteti e bënë Kaligulën të mendonte se ishte Perëndi. Suetoni shkruan se Kaligula vuante nga epilepsia. Disa historianë modernë mendojnë se Caligula vuante nga hiperteroidismi.
 
1794– Muzeu i Louvrit hapet për publikun (edhe pse zyrtarisht ishte hapur që nga gushti i vitit 1793).
 
1845– Meksika ndërpret marrëdhëniet diplomatike me SHBA-në. Tensionet midis dy vendeve ishin krijuar si rezultat i përpjekjeve amerikane për të populluar territore nën kontroll meksikan, dhe arritën kulmin me aneksimin e Teksasit, një ish- territor meksikan.
 
1930– Lindi në Paris Amelia Rosselli, poete, bija e aktivistes angleze Marion Cave dhe Carlo Rossellit, intelektual hebre fiorentin, hero dhe përfundimisht martir i Rezistencës anti – fashiste evropiane. Emelia u rrit si refugjate mes Francës, Anglisë, dhe Shteteve e Bashkuara – më në fund u vendos në Romë. E vetëquajtur "poete hulumtuese” Amelia ishte përkthyese, muzikante, muzikologe, dhe autore e 8 përmbledhjeve me poezi. Ajo përktheu në italisht disa poetë, përfshi Emily Dickinson e Sylvia Plath, dhe është konsideruar gjerësisht një nga poetët më të rëndësishëm italianë të gjysmës së dytë të shekullit XX. Amelia Rosselli vrau veten në shtëpinë e saj në Romë në vitin 1996.
  
1930– Konstandinopoja dhe Angora ndryshojnë emrat në Stamboll dhe Ankara.
 
1939– Lufta Civile Spanjolle: Mbrojtësit republikanë në Madrid ngrenë flamurin e bardhë mbi qytet, dorëzohen, dhe nacionalistët fitimtarë hynë me triumf; Lufta Civile Spanjolle përfundon. Deri në një milion jetë njerëzish humbën në konfliktin më shkatërruese në historinë spanjolle.

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/