Tiranë, 28 mars 2014 – Për herë të parë rreth 900 mijë persona të moshës 40-65 vjeç do t’i nënshtrohen një herë në vit kontrollit bazë shëndetësor pa pagesë. Ata do të thirren nga mjekët e 421 qendrave shëndetësore nëpërmjet postës, për të kryer një sërë analizash dhe ekzaminimesh mjekësore. Ministria e Shëndetësisë ka publikuar dje vizitat dhe ekzaminimet që do të përfshijë paketa bazë e kontrollit shëndetësor. Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqja, tha se ky është një ushtrim kombëtar që do të nisë të zbatohet nga muaji shtator, ndërkohë që vendimi do të miratohet javën e ardhshme edhe nga Këshilli i Ministrave. Beqja i bëri apel popullatës që të bëhen pjesë e vizitave që do të ofrohen falas. “Ftojmë shqiptarët e shëndetshëm të zhvillojnë përgjegjësitë individuale përkundrejt shoqërisë që po bëhet gati të marrë përsipër kostot e kujdesit shëndetësor të gjithsecilit. I ftojmë që një herë në vit, pa pagesë, të paraqiten në qendrën shëndetësore të vendbanimit dhe të kryejnë kontrollin bazë”, u shpreh Beqja. Ai tha se spitalet private do të mbështesin qendrat shëndetësore për kryerjen e analizave laboratorike, ku përfshihen pajisjet, kitet, reagjentët, transportin e mostrave laboratorike etj.
Paketa
Përfitues të paketës së kontrollit bazë do të jenë të gjithë personat e grupmoshës 40-65 vjeç, pavarësisht nëse janë ose jo të siguruar. Zv.ministri i Shëndetësisë, Klodian Rjepaj, shpjegoi se çfarë analizash dhe ekzaminimesh mjekësore do të përfshijë paketa e kontrollit bazë. “Ky program do të adresojë në mënyrë sistematike shtatë faktorët madhorë të vdekshmërisë prematurë, të cilët janë: hipertensioni, duhanpirja, kolesteroli/dislipidemia, obeziteti, dieta e varfër, inaktiviteti fizik dhe konsumi i alkoolit”. Në paketë përfshihen edhe ekzaminime fizike, si matja e presionit të gjakut dhe BMI (diametri i barkut), si dhe ekzaminime laboratorike, si: glicemia, kolesteroli total, formulë e gjakut, albuminurina, feçe për gjak”, u shpreh Rjepaj. Po kështu, paketa përfshin ekzaminime për shëndetin riprodhues, kancerin e qafës se mitrës, si dhe mamografi për kancerin e gjirit, por edhe për shëndetin mendor. Para nisjes së këtij programi do të bëhet “krehja” paraprake e popullatës që mbulon çdo qendër shëndetësore, me adresat përkatëse të çdo individi target për kontrollin bazë shëndetësor (check-up), ndërsa do të hartohet edhe një marrëveshje me Drejtorinë e Gjendjes Civile për adresat.
Vizitat dhe analizat falas
– Vlerësimi i aktivitetit fizik
– Ushqyerja, këshillimi për dietën
– Këshillim për duhanin dhe alkoolin
– Këshillim dhe vizita për stresin dhe depresionin
– Formulë e gjakut dhe Hb, HCT, MCV, MCH, MCHC
– Matja e glicemisë
– Kolesteroli total, HDL kolesterol, LDL kolesterol, trigliceride.
– Feçe për gjak okult
– Albuminurina, prania e qelizave, cilindrave, kristaleve në urinë
– Bilirubinë totale dhe direkte, transaminaza (SGPT, SGOT)
– Ekzaminime për shëndetin riprodhues, kancerin e qafës së mitrës dhe mamografi për kancerin e gjirit
Beci: Kostoja, 18 milionë dollarë në vit
Drejtori i Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, Astrit Beci, tha se janë marrë të gjitha masat për mbulimin financiar të paketës bazë të kontrollit shëndetësor për popullatën 40-65 vjeç. Beci bëri të ditur se kostoja vjetore për kryerjen e këtyre analizave do të jetë 17-18 milionë dollarë.
/gazeta “Panorama”/





