Tiranë, 28 mars 2014 – Artan Lame ka përsëritur sot gjatë një konference për shtyp se qeveria do t’i bëjë legalizimet dhe do t’i bëjë falas.
“Siç jeni në ndieni para dy ditësh u miratua projektligji që ndryshon me themel ligjin për legalizimet. Bashkë me këtë po përgatiten rreth 22 akte të tjera nënligjore, vendime, udhëzime, të cilat kanë të bëjnë me procesin. Ka një masë të madhe aktesh nënligjore që kanë të bëjnë me këtë proces”,- tha Lame,
Në përgjigje të akuzave të opozitës, Lame tha se ishte qeveria Berisha që dështoi me legalizimet dhe la pas një ligj që ngatërroi më shumë punë dhe u zhvati paratë njerëzve të interesuar.Në të njëjtën formë ai u shpreh edhe për qeverinë Nano, e cila dhe ajo nuk arriti të zgjidhte çështjen e koklavitur të legalizimeve.
Sipas tij, legalizimet do të ndahen në dy pjesë, së pari ato që ai ka quajtur legalizime të lehta e që duan vetëm vullnet për t’u mbyllur dhe pjesa e dytë e atyre që janë të koklavituar edhe për shkak të kohës së gjatë që presin për legalizim e në të cilat hyjne edhe procedura të ndryshme për shkak pronësie.
Sipas Lames, abuzimet në këtë sektor kanë qenë të mëdha, duke numëruar disa raste kur gjithçka është bërë brenda një dite, madje edhe dhënia e çertifikatës.
“Kemi gjetur dosje që presin 9 vjet të legalizohen. Na akuzojnë për tarifa, ndërkohë që vetëm për të hyrë brenda paguhej 2-5 mijë lekë të reja, 500-1 mijë euro për urdhërpërfshirjen, deri në 2 mijë për përshpejtim procedurash”,- tha Lame.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





