Tiranë, 28 mars 2014 – Partia Demokratike ka denoncuar një tjetër emërim, ku sipas saj, personi që mban aktualisht një post shtetëror është me precedentë penalë. Sot, gjatë një konference për shtyp, zëdhënësja e PD-së, Laura Vorpsi ka denoncuar emërimin e Florenc Tabakut në krye të zyrës së punës në Korçë, i dënuar me 6 muaj burg dhe 250 mijë lekë të reja për falsifikim dokumentesh.

“Drejtori i Zyrës së punës në Korcë, Florenc Tabaku, rezulton se i plotëson kriteret për të gëzuar besimin e Edi Ramës, në këtë detyrë dhe përgjegjësi të rëndësishme. Ai është dënuar me 6 muaj burg dhe me 250 mijë lekë gjobë nga gjykata e Korçës në vitin 2004, për falsifikim dokumentesh. Florenc Tabaku, i dënuar për falsifikim dokumentesh, është pjesë e krenarisë së Kryeministrit, sepse zyrat e punës duket se janë për momentin pasioni i tij i madh”,-deklaroi zëdhënësja Vorpsi.

 

Deklarata e plotë e zëdhënëses Laura Vorpsi

Drejtori i Zyrës së punës në Korcë, Florenc Tabaku, rezulton se i plotëson kriteret për të gëzuar besimin e Edi Ramës, në këtë detyrë dhe përgjegjësi të rëndësishme.

Ai është dënuar me 6 muaj burg, dhe me 250 mijë lekë gjobë nga gjykata e Korçës në vitin 2004, për falsifikim dokumentesh.

Florenc Tabaku, i dënuar për falsifikim dokumentesh, është pjesë e krenarisë së Kryeministrit, sepse zyrat e punës duket se janë për momentin pasioni i tij i madh.

Megjithëse prej ditës që Rama ka ardhur në pushtet, janë humbur 40 mijë vende pune, shumë persona më precedentë penalë kanë arritur të bëhen shefat e punësimit, dhe gjithashtu të kapin të tjera poste kyçe në administratë.

Rasti që po denoncojmë sot dhe rastet e tjera që kemi denoncuar, dëshmojnë se si funksionon në të vërtetë meritokracia e Edi Ramës, dhe tregojnë për një mekanizëm të dyshimtë, gati kriminal të kapjes së administratës nga persona me precedentë penalë, të dënuar nga drejtësia për vepra të rënda. 

Është e qartë se këta rilindas kanë investuar në fushatë dhe kanë parapaguar për postet që gëzojnë sot në pushtet. 

Drejtorët e dënuar nga drejtësia, mund të blejnë besimin e Erion Veliajt dhe të Edi Ramës, por ata nuk e blejnë dot të shkuarën e tyre.

 

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/