Fier, 28 mars 2014 – Një ditë më parë u nda nga jeta vajza 26 vjeçare e humoristit të njohur fierak Todi Llupi. Aktorja 26-vjeçare, pjesë e “Teatrit Bylis”, e cila ndoqi gjurmët e babait të saj, ndërroi jetë në orët e para të mëngjesit të së enjtes në spitalin rajonal. Hetimet paraprake flasin për një helmim të Dafina Llupit, pasi ka pasur shenja me të vjella dhe shkumë nga goja, që janë simptoma të helmimit. Dyshimet bien për një flijim me ilaçet antidepresive që vajza e re merrte, por grupi hetimor do të presë raportin e plotë mjeko-ligjor edhe autopsinë për të deklaruar shkencërisht nëse është vetëhelmim me medikamente, apo me ushqim. Teksa pritet të zbardhet ky mister, në familjen Llupi në Fier ka pllakosur zia dhe janë hapur dyert e mortit. Ndërsa sot pritet që t’i jepet edhe lamtumira e fundit me homazhe dhe ceremoni mortore të ndjerës.

Sipas burimeve policore, vajza ka nisur të ndihet keq në orët e vona të mbrëmjes së ditës së mërkurë. Prindërit e vajzës ndodheshin në shtëpi, kur ajo ka nisur të vjellë dhe të ndihej keq. Pasi është dërguar me urgjencë në spital, Dafinës 26 vjeçare i është dhënë ndihma e parë, por sipas mjekëve, gjendja shëndetësore është përkeqësuar, derisa u shua pas mesnate, megjithë terapinë intensive. Policia ende nuk ka konfirmuar zyrtarisht shkakun e kësaj vdekje, duke thënë se do presë rezultatet e ekspertimit mjeko-ligjor. Ndërsa nga spitali bëhet me dije se bëhet fjalë për një helmim. Paraprakisht dyshohet për mbidozë të medikamenteve që Dafina përdorte si antidepresiv.

Një mesazh në rrjetin social Facebook ka qarkulluar pas lajmit për vdekjen e Dafina Llupit. Një mesazh pesimist për jetën. Nuk dihet ende nëse ka lidhje edhe me ngjarjen e ndodhur, apo nëse aktorja dhe regjizorja ka parathënë atë që do ndërmerrte në një akt të dyshuar vetëvrasje. “Çfarë me habit? Njeriu është kaq i shqetësuar për të ardhmen, sa nuk e jeton të tashmen. Ai nuk jeton dot as sot, as nesër, ai jeton sikur nuk do të vdesë kurrë, dhe vdes pa jetuar kurrë si duhet!”. Ky është mesazhi i postuar nga Dafina, por i mbetet policisë të verifikojë të vërtetën dhe autorësinë, rrethanat dhe detaje të tjera që mund të rrëfejnë familjarët, miqtë e saj, kolegët dhe shoqëria.

/gazeta “Dita”/