Greqi, 28 mars 2014 – I burgosuri shqiptar në Greqi, Ilia Kareli është gjetur i vdekur në qelinë e tij. Gjatë të martës, shqiptari i dënuar me burgim të përjetshëm goditi me thikë një nga gardianët e burgut në shenjë proteste, meqë autoritetet nuk i jepnin leje të takonte nënën e sëmurë. Mediat greke kanë raportuar se rojet e burgut e kanë gjetur të vdekur pas mesnate në burgun e Nigritës në Serres, 30 km larg Selanikut, në qelinë e izolimit ku e kishin çuar të enjten në mbrëmje pas vrasjes që ai kreu.
Ende nuk dihen shkaqet e vdekjes së tij, ndërsa po hetohen imazhet filmike të kamerave të sigurisë së burgut për të parë çdo lëvizje që është kryer jashtë qelisë së tij. Ngjarja për të cilën i burgosuri shqiptar pushtoi faqet e mediave greke ditën e martë u regjistrua në burgun e Malandrinos. Gardiani që u godit me thikë nga shqiptari, humbi jetën më pas në spital. Ai ishte 45-vjeç, baba i dy fëmijëve dhe kishte të paktën 14 vjet përvojë pune.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





