Tiranë, 28 mars 2014 – Në një shkrim të botuar sot në Gazeta Shqiptare, bëhet e ditur se  Prokuroria e Tiranës ka pezulluar hetimet për humbjen e portofolit të deputetit të ndjerë të Partisë Demokratike, Sokol Olldashi, i cili humbi jetën në një aksident rrugor më 20 nëntor 2013.

Sipas kësaj gazete, lajmi për pezullimin e hetimeve konfirmohet nga zyrtarë të prokurorisë, të cilët thanë se nga hetimet nuk u bë i mundur zbulimi i autorit apo autorëve të vjedhjes së portofolit të deputetit të ndjerë.

Hetimet për zhdukjen apo vjedhjen e portofolit të deputetit Olldashi nisën pas dëshmisë së një efektivi policie, i cili deklaronte ndër të tjera se në momentin kur ka mbërritur në vendin e ngjarjes ka parë portofolin. Madje sipas tij, identiteti i viktimës së aksidentit, që rezultoi të ishte deputeti 40-vjeçar i Partisë Demokratike, u bë pikërisht nga karta e identitetit e vendosur në portofol. Por më pas në listën e sendeve të sekuestruara në vendngjarje, u vu re që mungonte portofoli i deputetit të ndjerë. Hetimet disamujore duket se nuk shërbyen për asgjë në këtë drejtim, pasi prokuroria nuk mundi të zbulojë personat që zhdukën apo vodhën portofolin e deputetit Olldashi. Kështu, pas pesë muajsh prej ditës kur ndodhi aksidenti tragjik, dosja e vjedhjes së sendit personal të ish-ministrit të Transporteve është pezulluar, pasi nuk ka autor. Dosja mund të rihapet vetëm në momentin kur gjendet ndonjë provë apo fakt i ri, që mund të hedhë dritë mbi rrethanat në të cilat u vodh portofoli dhe personat që e kryen veprën penale”,- shkruan Gazeta Shqiptare

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/