Gati gjashtë muaj pasi ish- kryeministri britanik u shpall si këshilltar i qeverisë shqiptare, ai nuk e ka nisur ende punën për të ndihmuar në integrimin e Tiranës në Bashkimin Europian
27 Mars 2014 – Zëdhënësi i ish-kryeministrit: Nuk ka ende asnjë kontratë me qeverinë shqiptare. Në një shkrim të sajin me këtë titull, agjencia e lajmeve “Balkan Insight” citon zëdhënësin e ish-kryeministrit, i cili konfirmon se aktualisht nuk ka asnjë kontratë zyrtare me qeverinë shqiptare.
“Ne mbetemi në kontakt me qeverinë shqiptare dhe z. Blair do natyrisht ende të jetë i lumtur për të ndihmuar, pasi Shqipëria dhe rajoni kanë një domethënie të madhe për të, por nuk ka kontratë”,- tha zëdhënësi i Toni Bler, Cirian Ward, për “Balkan Insight”.
Ai shton se: “Çdo ndihmë do të bëhet pa asnjë kosto për qeverinë shqiptare”. Po sipas kësaj agjencie, mësohet se lajmi është konfirmuar edhe nga këshilltari për mediat i Kryeministrit, Endri Fuga, i cili është shprehur për “Balkan Insight” se marrëdhëniet me Bler nuk janë “institucionalizuar” ende.
“Ne respektojmë zotin Bler për arritjet e tij si kryeministër dhe mbi të gjitha për rolin pozitiv që ai luajti në rajon. Kryeministri Rama është në kontakt të vazhdueshëm me Bler dhe në qoftë se do të ketë bashkëpunim, ne do ta bëjmë atë publike”, – tha Fuga për “Balkan Insight”.
Ardhja e Bler
Më 4 tetor të vitit të kaluar, Bler zbarkoi në Tiranë për të marrë pjesë në një takim të kabinetit me Ramën, i cili e prezantoi ish-liderin britanik si këshilltarin e tij më të ri. Rama tha se Bler kishte ardhur në Tiranë për të ndihmuar për të ngritur një “njësi të dorëzimit”, me ndihmën e Bankës Botërore.
“Kryeministri Bler është në shërbimin tonë personalisht, por krejtësisht vullnetarisht. Ne kemi diskutuar me Kryeministrin Bler dhe Bankën Botërore për të vendosur prioritetet tona afatshkurtra, afatmesme dhe afatgjata”,- tha Rama gjatë prezantimit të këshilltarit të tij britanik.
Ndërsa, Bler shpjegoi se do të punojnë së bashku me Bankën Botërore dhe donatorë të tjerë për të forcuar përpjekjet e reformave të Shqipërisë, dhe për të nxitur objektivin e anëtarësimit përfundimtar në BE.
“Banka Botërore nuk ka një marrëdhënie kontraktuale me ekipin e Toni Bler në ndonjë nga vendet e Global Network (ku bëjnë pjesë Shqipëria, Etiopia, Gana, Haiti, Malavi dhe Senegali)”,- tha për “Balkan Insight” David Theis, zëdhënës i Bankës Botërore.





