DURRËS, 27 mars 2014 –Ndonëse licenca për import-eksportit për eksplozivë kishte 2 muaj që i ishte hequr firmës Babasi Coo të Fushë-Krujës, ajo vazhdonte tregtinë e stoqeve, që sipas forcave ligjzbatuese është e paligjshme.

Drejtoria e policisë së shtetit për qarkun Durrës-Krujë njofton se më 26 mars 2014 filloi procedimi penal në gjendje të lirë ndaj shtetasit L. B., 62 vjeç, banues në lagjen Kamberas të fshatit Fushë-Krujë, që bën pjesë në territorin e bashkisë me të njëjtin emër, magazinier në firmën Babasi Coo.

Rezultoi se më 25 mars 2014 dhe herë të tjera, ky shtetas i ka shitur lëndë plasëse shoqërisë Oskeola shpk. me seli në Pukë dhe shoqërive të tjera, në mënyrë të kundërligjshme, pasi kësaj firme më 25 janar 2014 i është hequr licenca e import-eksportit të lëndëve plasëse për përdorim civil.

Prokuroria e Krujës ka nisur procedim penal për vëllanë e ish-deputetit të PD-së Ndriçim Babasi, Pëllumbin, aktualisht administrator i firmës Babasi COO pasi akuzohet për tregtim të lëndëve plasëse, djegëse dhe radioaktive.

Pas një kontrolli rutinë që iu bë një furgoni të firmës nga policia u zbulua një sasi e konsiderueshme lëndësh plasëse që po transportoheshin nga Fushë-Kruja drejt Pukës.

Edhe pse pa licencë, kjo firmë vazhdonte fushatën publicitare të lëndëve plasëse të fuqishme, fitilave, kapsollave detonatore në faqen e saj on-line (shih faksimilet).

Rrethi i Krujës, sidomos territori nën administrimin e bashkisë së Fushë-Krujës, ku ndodhet dhe selia e “Babasi Coo”, është bërë sinonim i tritolit dhe shpërthimeve në Shqipëri  

Info

“Babasi Coo” është kompani, që operon në sektorin e prodhimit të inerteve dhe transportimin e tyre që prej vitit 1998, ofron shërbimet dhe produktet e inerteve (rërë, gurë, çakëll, granil), në prodhim blloqesh betonit të parafabrikateve të ndryshme.

Ideatori dhe themeluesi i kësaj shoqërie ishte z. Ndriçim Babasi, ish-deputet i PD-së i qarkut Durrës.

Në vitin 2004 u përfshi në tregtimin e eksplozivëve për përdorim civil duke u shndërruar në furnitorin kryesor të tregut shqiptar.

Babasi Coo zotëron rreth 70 për qind të tregut në rishpërndarjen e lëndës plasëse dhe shpërthyese për përdorim civil (për hapje minierash, në zonat e nëndheshme, shpërthime të nënujshme me shkalle shumë të lartë vështirësie, shpime për montimin e eksplozivit në lokacione më komplekse se të zakonshmet; shpërthime të lëndëve plasëse me detonatorë të teknologjisë së fundit).

Avancimi i teknologjisë ka sjellë në treg dhe eksplozivë që janë shumë herë më të sigurt, shumë herë më efektivë.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/