Tiranë, 27 mars 2014– Zhvendosja e shërbimit në terren ka sjellë përmbylljen e procesit për 5500 familje, të cilat janë në pritje të miratimit të ndryshimeve ligjore për t’u pajisur me leje. Sipas kreut të Agjencisë së Legalizimeve Artan Lame, aktualisht ka përfunduar procesi i verifikimit dhe plotësimit të dosjes për këto familje dhe, me miratimin e ndryshimeve ligjore, ata bëhen pronarë të parcelës ku kanë ndërtuar banesën. Përgjatë kësaj periudhe ka mbërritur në zyrat e  Legalizimeve një numër i lartë ankesash nga qytetarët, të cilët njëherazi kanë shfaqur interes mbi ecurinë e procesit për pajisjen me leje. Sipas kreut të përgjithshëm të ALUIZNI-t, vetëm në tre muaj janë depozituar 15 400 kërkesa. “Në këta 3 muaj të fundit që ne kemi filluar me maksimumin e forcave të punojmë, jemi përballur me 15400 ankesa, kërkesa të qytetarëve. Të jem i sinqertë, shumë qytetarë ende nuk na besojnë, thonë kaq vite u zgjat, edhe sa të tjerë do zgjasë, por fakti që kanë ardhur 15400 qytetarë për të kërkuar se ku ka mbetur procesi, tregon që qytetarët ta marrin seriozisht dhe kjo është më e rëndësishme”, tha Lame. Nga nisja e procesit për legalizimin e zonave informale janë dhënë 21 mijë leje legalizimi. Duke i cilësuar korruptive dhe të dhëna abuzivisht, Lame tha se epoka e vjedhjes dhe mashtrimit ka marrë fund.

“Është e rëndë që në 8 vite vetëm 21 mijë shqiptarëve u është zgjidhur halli, por do të ishte mirë sikur edhe kjo të ishte e vërtetë, pasi tani shumica na rezulton që një pjesë e madhe e atyre legalizimeve që janë bërë, kanë qenë korruptive, kanë qenë për objekte që nuk duheshin legalizuar apo me para në dorë”,- u shpreh më tej drejtori i Agjencisë së Legalizimeve.

Pajisja me kartën e ALUIZNI-t për çdo punonjës që troket në shtëpitë e qytetarëve, është parakusht për të shmangur korrupsionin. Me argumentin e shmangies së vjedhjes, Lame tha se deri më tani qytetarët janë vjedhur nga individë që prezantoheshin se ishin punonjës të ALUIZNI-t dhe në fund nuk rezultonin të tillë. 

 

Lame i jep Ramës kartelën

Kreu i ALUIZNI-t, Artan Lame, e ftoi Kryeministrin Rama që të mbështesë procesin e legalizimeve, si një nga premtimet e “Rilindjes”.

“Zoti Kryeministër, ne si qeverisje e Rilindjes ju kemi ngarkuar të bëni reformën që është ndoshta më e madhja, ajo e territorit. Bashkë me të gjithë punonjësit e ALUIZNI-t do jemi të impenjuar maksimalisht për këtë proces. Unë do të doja t’ju kërkoja që të jeni ju ushtari apo punonjësi numër një i ALUIZN-it, dhe për këtë doja që dhe ju ta merrni kartelën e punonjësit të ALUIZNI-t”,- tha Lame, duke i varur kartelën e re që do të ketë çdo punonjës në këtë institucion.

/gazeta “Panorama”/