Tiranë, 27 mars 2014 – Qeveria ndryshon Kodin Penal. Në mbledhjen e zhvilluar dje, qeveria “Rama” miratoi ashpërsimin e ligjit për shoferët e dehur, vjedhësit e energjisë dhe prodhuesit e shpërndarësit e eksplozivit. Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, ndërsa njoftoi ndryshimet në Kodin Penal, deklaroi se ligji për drejtimin e automjeteve në gjendje të dehur, nën efektin e lëndëve narkotike apo pa leje drejtimi, parashikon 3 vite burg për shoferët. Tahiri theksoi se me ndryshimet në Kodin Penal synohet që të parandalohen fenomenet negative dhe të rritet ndërshkueshmëria e tyre.
“Kemi propozuar edhe amendimin e nenit 291 të Kodit Penal, lidhur me sigurinë rrugore. Përkatësisht kemi propozuar që neni 291 të riformulohet duke parashikuar që drejtimi i automjeteve apo i çdo mjeti tjetër të motorizuar në gjendje të dehur apo nën efektin e lëndëve narkotike apo pa dëshminë përkatëse të aftësisë, të dënohet me burgim nga 10 ditë, minimumi, deri në 3 vjet. Ne mendojmë se kjo masë do të ndikojë patjetër në rritjen e sigurisë rrugore për qytetarët, duke garantuar jetën e drejtuesve të automjeteve, por gjithashtu edhe jetën e çdo përdoruesi të rrugës. Policia që nga tetori e këtej ka ndjekur politikë ashpërsuese lidhur me sanksionet e shkelësve të rregullave të qarkullimit rrugor, në rastet e drejtimit të mjetit në gjendje të dehur, nën efektin e lëndëve narkotike apo të drejtimit të mjetit pa dëshmi aftësie apo në zhargon patentë”, pohoi ai.
Ligji për energjinë elektrike
Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, gjatë fjalës së tij, u ndal dhe të ndryshimet në ligjin për vjedhësit e energjisë. Tahiri tha se çdo person që vjedh energjinë elektrike, qoftë ky dhe biznesmen, do të dënohet me pesë vite burg. “Konkretisht, me propozim të Ministrit të Energjisë dhe Industrisë, ndryshimi i Kodit Penal lidhur me vjedhjen e energjisë elektrike, që është neni 137 i Kodit Penal, synon të adresojë vjedhjen masive të energjisë elektrike qoftë nga subjekte privatë, qoftë edhe nga sipërmarrës, duke e parashikuar këtë të fundit si rrethanë cilësuese. Për ndryshimet në Kodin Penal për vjedhjen e energjisë synon të adresohet ky problem dhe parashikohen masa për shkelësit, deri në 5 vite burg”, tha Tahiri. Ndërsa ndryshimet në Kodin Penal për prodhuesit dhe përdoruesit e eksplozivit, parashikojnë deri në 20 vite burg. Ministri i Brendshëm, theksoi se ndryshimet e ligjit kanë ardhur si pasojë e përdorimit abuziv të lëndëve plasëse. “Ndryshimet e propozuara nga Ministri i Brendshëm lidhur me lëndët plasëse, referuar edhe shqetësimit publik për këtë çështje, vijnë si analizë e ekspertëve të Ministrisë së Brendshme që jo vetëm kanë marrë në shqyrtim faktorët kriminalë, por kanë marrë në shqyrtim edhe përdorimin shpesh abuziv për qëllime civile të lëndëve plasëse. Në këtë kuadër, kemi propozuar dhe sot qeveria miratoi ndryshimet në Kodin Penal, përkatësisht nenet 278 dhe 282. I pari për përdorimin dhe mbajtjen pa lejë të armëve luftarake dhe municioneve, duke parashikuar që masa e dënimit të shkojë nga 5 vjet deri në 8 vjet burgim dhe në rrethana cilësuese, nga 15 vjet në 20 vjet burgim. Kjo është rrethana kur eksplozivi ose lëndët plasëse mbahen, transportohen, trafikohen për qëllime kriminale”, u shpreh Tahiri.
Ndryshimet e plota në Kodin Penal
Vendim për propozimin e projektligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.7895, datë 27.1.1995, “Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar”. Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, ministrit të Punëve të Brendshme dhe të ministrit të Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike, Këshilli i Ministrave vendosi: Propozimin e projektligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 7895, datë 27.1.1995, “Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar”, për shqyrtim dhe miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë. Projektligj për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.7895, datë 27.1.1995, “Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar. Në mbështetje të neneve 81, pika 2, shkronja “d”, dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë vendosi: Në ligjin nr.7895, datë 27.1.1995, “Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:
Neni 1
Në fund të nenit 34 shtohet paragrafi, me këtë përmbajtje: “Për vepra penale që dënohen deri në tre vjet burgim, kur parashikohet shprehimisht nga dispozita, gjykata mund të vendosë zëvendësimin e dënimit me burgim me dënimin me gjobë, duke llogaritur një ditë burgim me pesë mijë lekë.
Neni 2
Neni 137 ndryshohet, si më poshtë vijon: “Neni 137 Vjedhja e energjisë elektrike ose impulseve telefonike Vjedhja e energjisë elektrike ose impulseve telefonike, dëmtimi i matësit me qëllim përfitimi të paligjshëm, si dhe çdo ndërhyrje tjetër e paligjshme dhe e paautorizuar në sistemin e matjes apo në rrjetin elektrik përbën vepër penale dhe dënohet me burgim deri në tre vjet. Kur kjo vepër penale kryhet në bashkëpunim, më shumë se një herë, ose nga përdoruesit jofamiljarë të energjisë elektrike, dënohet me burgim nga një deri në pesë vjet.
Neni 3
Në nenin 278 bëhen këto ndryshime: 1. Në paragrafin e tretë, fjalët “… dënohet me burgim nga një deri në pesë vjet …” zëvendësohen me “… dënohet me burgim nga pesë deri në tetë vjet …”. 2. Në paragrafin e pestë, fjalët “… dënohet me burgim nga dhjetë deri në njëzet vjet …” zëvendësohen me “… dënohen me burgim nga pesëmbëdhjetë deri në njëzet vjet …”.
Neni 4
Në nenin 282 bëhen këto ndryshime: 1. Në paragrafin e parë, fjalët “… përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet …” zëvendësohen me “… dënohet me burgim nga tre deri në pesë vjet …”. 2. Në paragrafin e tretë, fjalët “… dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dhjetë vjet …” zëvendësohen me “… dënohet me burgim nga dy deri në dhjetë vjet …”.
Neni 5
Neni 291 ndryshohet, si më poshtë vijon: “Neni 291. Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt. Drejtimi i automjeteve apo mjeteve të tjera të motorizuara në gjendje të dehur, nën efektin e lëndëve narkotike apo pa dëshminë përkatëse të aftësisë dënohet me burgim nga dhjetë ditë deri në tre vjet. Gjykata mund të vendosë zëvendësimin e dënimit me burgim me dënimin me gjobë.
Neni 6
Pas nenit 293/ç shtohet neni 293/d, me këtë përmbajtje: “Neni 293/d. Shitja e paautorizuar e kartave SIM. Tregtimi i paautorizuar i produkteve/kartave SIM telefonike përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me burgim nga pesëmbëdhjetë deri në tridhjetë ditë ose me gjobë nga pesëqind mijë deri në dy milionë lekë.
Neni 7
Hyrja në fuqi. Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare.





