26 mars 2014 – Kushdo që do të gjente përballë një mi të tillë do të shokohej. Ndërsa jemi mësuar me minjtë e zakonshëm të kanaleve, ky që shihni në foto ua kalon disa herë në përmasa atyre. Madje ky është një mi që tremb dhe macen dhe e bën të ikë me bisht ndër shalë. Një familje në Suedi mbeti e shokuar kur zbuloi se miu në kuzhinën e tyre, që kishte terrorizuar edhe macen, ishte një monstër e vërtetë.
Miu, i gjatë rreth 38 centimetra, kishte gërmuar një tunel mes një paneli druri dhe betonit dhe kishte ndërtuar një fole pas pjatalarëses. Ekipet e posaçme që erdhën në shtëpi për të hequr qafe mikun e paftuar vendosën një kurth për të kapur miun. Vetëm pak orë më vonë, miu ra në çark. Por kur familja kërkoi kurthin, ai nuk ishte aty. Miu e kishte tërhequr me vete deri në folenë e tij, ku kishte ngordhur. Familja në fjalë shpreson që të mos përballet ndonjë ditë me këlyshët e miut gjigand.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





