Tiranë, 26 mars 2014 – Disa ditë pas Presidentit të Republikës edhe Partia Demokratike ankimon në Gjykatën Kushtetuese vendimin e Kuvendit për të shkarkuar Zana Xhukën si kryeinspektore të Kontrollit dhe Deklarimit të pasurive dhe votimin e dekretit të presidentit, i cili gjatë legjislaturës së shkuar nuk u hodh në votim. Sipas PD, është absurd dhe i pabazuar shkaku i dhënë nga mazhoranca parlamentare për rivotimin e dekretit, se gjatë Legjislaturës paraardhëse nuk janë hedhur në votim të dy kandidatët, por vetëm njëri prej tyre. PD argumenton se kjo procedurë është ndjekur në të gjitha rastet e përzgjedhjes së funksionarëvë publik kur në gara ka qënë më shumë së një kandidat. Nëse kandidati i hedhur i pari në votim merrte shumicën e votave, atëherë kandidatura tjetër nuk i nënshtrohet procesit të votimit dhe konsiderohet automatikisht e rrëzuar më shumicë votash. Kjo për faktin së në një procedurë përzgjedhëse, çdo deputet nuk mund të votojë më shumë së një herë dhe aq më pak nuk mund të votojë pro për të dyja kandidaturat.
Por nga pikëpamja kushtetuese PD ka kërkuar interpretim përfundimtar nga Gjykata për nenet 65dhe 78 të Kushtetutës, mbi efektet e mandatit 4 vjeçar, mundësisë për të rivlerësuar vendimmarrjet me natyrë politiko-administrative të Kuvendit, të miratuara gjatë mandatit paraardhës, si dhe rrethanat që konsiderohen “mos thirrje e seancës sipas Rregullores së Kuvendit” dhe që çojnë në pavlefshmërinë e mbledhjes së deputetëve. Sipas PD seanca plenare në fjalë është bërë në kundërshtim me rregulloren e Kuvendit pasi deputetët e opozitës parlamentare nuk kanë patur dijeni për shqyrtimin e kësaj cështje.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





