Malajzi, 26 mars 2014 Ministri malajzian i Transportit, Hishamudin Husein tha se janë zbuluar 122 objekte që ndoshta i përkasin avionit të humbur, të shpërndarë në një zonë prej 400 km katrorë, që ndodhet 2.557 km mes Perthit dhe Australisë përendimore. Pamjet satelitore iu dorëzuan Malajzise nga grupi “Airbus” i Mbrojtjes dhe Hapësirës, me qendër në Francë, më 25 mars. Ato tregojnë pjesë deri në 23 metra të gjata. Ky është grupi i katërt i fotove satelitore që tregon praninë e objekteve në pjesën jugore të Oqeanit Indian. Deri tani nuk ka qenë e mundur të merret asnjë prej tyre në zonën ku po kërkohet, e ndarë tashmë në dy pjesë: atë lindore dhe perëndimore. Autoriteti Australian për Sigurinë Detare, që po koordinon kërkimet, tha të mërkurën se fluturimet kanë nisur dhe kushtet janë përmirësuar, pas pezullimit të operacionit si pasojë e motit të keq. Shtatë avionë ushtarakë dhe civilë janë pjesë e operacioneve të kërkimit, ku janë përfshirë gjashtë vende: Australia, Zelanda e Re, Shtetet e Bashkuara, Japonia, Kina dhe Korea e Jugut. Nëse konfirmohet se objektet e gjetura i përkasin avionit, atëherë zona e kërkimit do të ngushtohet më tej. Megjithatë, ekspertët thonë se sinjalizuesit e vendndodhjes së avionit, që mund të ndihmojnë anijet për ta gjetur, mund t’u ketë mbetur më pak se dy javë bateri. 

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/