Tiranë, 26 mars 2014 – Qeveria miratoi sot ndryshimet në ligjin e legalizimeve. Në një takim me qytetarët në zonën e Paskuqanit në Tiranë, kryeministri Rama theksoi se ky vendim i qeverisë, që pritet të miratohet në Kuvend, do të hapë një epokë të re për mbi 200 mijë familje që presin prej vitesh legalizimin e shtëpive të tyre. Sipas Ramës, ndryshimi themelor që i është bërë ligjit ekzistues, parashikon të mos kërkohet asnjë lek nga asnjë familje për procesin e legalizimit. Kryeministri Rama theksoi se qeveria e tij e njeh legalizimin si detyrim vetëm për ata që kanë ndërtuar një shtëpi për të futur kokën, dhe jo për ata që përfitojnë nga ndërtimet e paligjshme. 

“Sot në mbledhjen e qeverisë ne miratuam ndryshimet me themel që i kemi bërë ligjit të legalizimeve. Këto ndryshime, do t’i kalojnë për miratim përfundimtar parlamentit dhe do të na garantojnë që ne t’i qëndrojmë atij zotimi që ju kemi dhënë dhe që ju dhe mbi 200 mijë familje që presim prej vitesh legalizimin të mund të bëhen pronarë të shtëpive të tyre. Dhe shtëpitë të kthehen nga kapitale të vdekura, në kapitale të qarkullueshme që do ndihmojnë ekonominë e familjes suaj. Ne kemi pasur një plan shumë të qartë për legalizimet dhe dua ta kujtoj që unë personalisht bashkë me Lamen dhe disa të tjerë kemi qenë të parët që kemi folur për legalizimet, kur ishim në bashkinë e Tiranës në fillim të rrugëtimit tonë për të transformuar Tiranën”,– u shpreh kryeministri. 

Gjithashtu kreu i qeverisë shpjegoi se shtëpia e dytë do legalizohet me faturë të plotë. 

“Legalizimi bëhet në radhë të parë si një borxh ndaj gjakut, sakrificave dhe mundit të atyre që janë sot pronarë të një shtëpie ku kanë hedhur gjithçka kanë pasur. Për ata bëhet legalizimi në radhë të parë, të tjerët të rrinë në radhë dhe të paguajnë.”– tha Rama. 

Ndërkohë kryeministri theksoi se procesi i legalizimeve do të lidhet edhe me urbanizimin, ndërsa shtoi se qytetarët që kanë ndërtuar në tokën e tjetrit duhet ta paguajnë atë. 

“Ky është vetëm fillimi i një udhëtimi që unë mendoj nuk do ta kemi bashkë më shumë se katër vjet. Për të bërë nga njëra anë legalizimin , që ju shtëpinë ta ktheni jo vetëm në kështjellë që nuk vjen faroma ta prishi, por ta përdorni për kapital të qarkullueshëm. Do të falim të gjitha penalitetet, nuk do t’ju kërkojë më njeri të paguani penalitete. Kush ka ndërtuar në tokë të tjetrit, nuk mund ta bënim kurrë që të falim një pasuri që nuk është e jona, por është e të gjithë shqiptarëve dhe e pronarëve në mënyrë të veçantë. Për të gjitha objektet që janë në këtë lloj parcele, deri në trefishin e banesës, çmimi do të jetë çmim favorizues për ju i tokës. Mbi trefishin pastaj kalojmë në një çmim tregu.”- tha Rama. 

Sipas kryeministrit, “objektet me qëllim fitimi do legalizohen duke e paguar vlerën e truallit siç është deri më sot. Banesa e dytë, kush ka deklaruar dy banesa, do legalizohen përsëri me vlerën e truallit, siç kanë qenë deri tani.” 

Më tej kryeministri sqaroi përfitimet që do të kenë qytetarët që paguajnë menjëherë për tokën, në rast se nuk e kanë ndërtuar shtëpinë në tokën e tyre. Por sipas tij, qeveria ka menduar edhe për ata që deklarojnë se nuk kanë mundësi të paguajnë sot. 

“Nëse qytetari deklaron se nuk paguan dot, se nuk ka mundësi, objekti do të legalizohet, do regjistrohet në hipotekë, por me kufizim hipotekor, domethënë që ti ke një detyrim që e kufizon pronën tënde, ti mund ta shesësh por kufizimi hipotekor i kalon atij që e blen. Nëse nuk paguan dot menjëherë, do që ta fusësh me kufizim hipotekor, nuk do të përfitosh nga 20% i uljes që paguan kur paguan menjëherë, plus letrat me vlerë. Nëse edhe pas një viti nuk e ke paguar sërish, nuk do përfitosh më as nga letrat me vlerë. Përsëri e theksoj shtëpia është e jotja, në këto kushte lirisht, shitet blihet jepet me qira, çohet dhe në bankë merret dhe kredi, por kufizimi nuk është pozitiv në afatgjatë.”– u shpreh kryeministri. 

Ndërkohë shefi i qeverisë informoi qytetarët se procesi i legalizimeve nuk do të kufizohet me detyrimet e papaguara ndaj kompanive të energjisë elektrike. 

“Ne do të vendosim për çdo tapi një barrë hipotekore 10%, por jo se do paguani tani. Nëse ju do paguani 400 mijë lekë për legalizimin kur toka nuk është e jotja, atëherë do t’ju marrim 360 mijë lekë dhe 40 mijë lekëshin do ta lemë barrë hipotekore, që ju do ta hiqni pas dy vjetësh kur të tregoni faturat e energjisë. Në shumën e legalizimit do t’ju marrim 40 mijë lekë më pak, do t’jua lemë të paguani energjinë elektrike dhe t’jua lemë barra atje. E rëndësishme është të paguani të gjithë energjinë, të futeni në sistem. Janë të gjitha kushtet që ta mbyllim këtë proces më faqe të bardhë për të dy palët. Ne jemi gati, kush është gati nga ju thjesht duhet të ndjekë procesin dhe të marri tapinë në dorë.”– deklaroi Rama. 

/balkanweb/