Durrës, 26 mars 2014 – “Dhëmbë të shëndetshëm, buzëqeshje e lumtur”. Me këtë moto fondacioni “Zoja e Këshillit të mirë” në bashkëpunim me Rotary Club të Durrësit ka ndërmarrë projekt pilot, që do të nisë të zbatohet tek nxënësit e ciklit fillor në shkollën “Vinçens Prenushi”. Projekti, që do të përfshijë 501 nxënësit nga klasa e parë në të pestën, ka për qëllim të transmetojë rëndësinë e mirëmbajtjes së shëndetit të kavitetit oral dhe të pasojave që mund të vijnë nga neglizhimi që i bëhet kujdesit dentar.
Nisma u prezantua sot gjatë një konference për shtyp të organizuar nga fondacioni “Zoja e Këshillit të mirë” dhe Rotary Club Durrës e ku merrnin pjesë prefekti i qarkut të Durrësit, Rolant Xhelilaj, kryetari i Këshillit të Qarkut Alfred Mullaraj, drejtoresha e DAR Durrës, Lindita Muka etj. Drejtoresha e DAR i përgëzoi organizatorët për nismën e ndërmarrë dhe shprehu të gjithë mbështetjen e saj, që ky projekt në të ardhmen të shtrihet edhe në shkolla të tjera publike të qytetit bregdetar. Ndërkohë drejtoresha e shkollës “Vinçens Prenushi”, suor Donata u shpreh entuziaste për projektin dhe për faktin që ai do të aplikohet për herë të parë në institucionin arsimor të drejtuar prej saj.
Kujdesi dentar është një nga hallkat e rëndësishme që garanton një shëndet të mirë dhe parandalimi i dëmtimit dhe prishjes së dhëmbëve që në moshë të vogël është një hap i mirë për të garantuar në të ardhmen një buzëqeshje të bukur.
Në një studim të vitit 2010, të realizuar nga Universiteti Katolik “Zoja e Këshillit të mirë” mbi një kampion të përbërë nga 2700 fëmijë të grupmoshës nga 6 deri në 15 vjeç, të shkollave të Tiranës doli në pah fakti se fëmijët kishin një përqindje të lartë të dhëmbëve të prishur.
Projekti “Dhëmbë të shëndetshëm, buzëqeshje e lumtur” pritet të nisë nga zbatimi në datë 2 prill dhe do të zgjasë 8 javë. Organizatorët e këtij projekti kanë menduar t’i ndajnë nxënësit pjesëmarrës në 8 grupe me nga 63 fëmijë. Çdo javë, qendra spitalore universitare “Zoja e Këshillit të mirë” do të mirëpresë një nga grupet. Vizita e fëmijëve, që do ndahen më pas në tre minigrupe, do të zgjasë nga ora 09.00 deri në 12.00 dhe do të përbëhet nga tre faza:
1. Leksion mbi rëndësinë e parandalimit preventiv për shëndetin e kavitetit oral me udhëzime specifike për higjenën orale.
2. Një konsultë stomatologjike për secilin fëmijë, të shoqëruar nga një fletë diagnoze që do t’u dorëzohet prindërve
3. Një vizitë në ambientet e Kampusit Universitar ZKM.
Ekipi mjekësor do të përbëhet nga stomatologët, asistentët dhe infermierët e Klinikës Stomatologjike Universitare “Zoja e Këshillit të mirë”.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





