Durrës, 26 mars 2014 – Mbrëmjen e së martës, policia e Durrësit ka vënë në pranga dy autorët e një grabitjeje me dhunë të regjistruar në datë 16 janar të këtij viti.
Burime zyrtare të policisë konfirmojnë se janë ndaluar Astrit Zylyftari, 37 vjeç nga Arapaj dhe Artan Zaimi, 32 vjeç nga Durrësi. Dy shtetasit në fjalë, në datë 16 janar i kanë grabitur me dhunë shtetasit B.XH., 50 vjeç, 40 mijë lekë. Ngjarja për të cilën akuzohen dy bashkëpunëtorët është regjistruar në lagjen nr.16 të Durrësit.
Pas një hetimi dy mujor dhe në bazë të provave të grumbulluara, efektivët e Komisariatit të Policisë Durrës kanë arritur në përfundimin se janë këto dy shtetas autorë të grabitjes në fjalë. 37 vjeçari Astrit Zylyftari ishte shpallur në kërkim, një ditë pas kryerjes së grabitjes.
Materialet proceduriale për këto dy shtetas iu kaluan Prokurorisë së Rrethit Durrës për veprën penale të «Vjedhjes me dhunë, kryer në bashkëpunim ».
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





