Fushë-Krujë, 26 mars 2014 – Rikthehen shpërthimet me eksploziv në fshatin Halil të Krujës. Këtë herë objektiv i sulmit ka qenë automjeti i një polici. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 03:40.
Automjeti, me targa TR 2772 K, të cilit i është vënë lënda eksplozive, i përket efektivit të policisë Dilaver V. Në momentin që ka ndodhur shpërthimi polici sapo është kthyer nga shërbimi dhe e kishte parkuar automjetin në oborrin e shtëpisë.
Për pasojë nga shpërthimi fatmirësisht nuk ka pasur të lënduar në njerëz por vetëm dëme materiale. Policia ka mbërritur në vendin e ngjarjes dhe ka nisur hetimet për zbardhjen e saj. Sipas policisë, ngjarja mund të ketë lidhje me detyrën e policit.
Shpërthimet me eksploziv në Fushë-Krujë kanë qenë të shpeshta kohët e fundit. Objektiv i sulmeve kanë qenë edhe institucionet shtetërore. Komisariati i policisë është bërë dy herë pre e këtyre sulmeve, ndërkohë që ditë më parë, një sasi tritoli shpërtheu në oborrin e bashkisë së qytetit duke shkaktuar veç dëme materiale dhe jo të lënduar.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





