Nga Xhevahir Gradica 

25 mars 2014 – Rruga e Plazhit dhe ajo që përshkon mes për mes Kënetën drejt mbikalimit të Shkozetit janë dy nga segmenet më problematike rrugore në Durrës. Deklarimi është bërë nga shefi i seksionit të qarkullimit rrugor, komisar Blerim Laçi. Numri i madh i aksidenteve, mungesa e sinjalistikës horizontale dhe vertikale, mungesa e ndriçimit rrugor si dhe mosndërtimi i asnjë nënkalimi apo mbikalimi kanë vënë në një pozitë shumë të vështirë efektivat e trafikut rrugor. Pavarësisht patrullimeve të pandërprera në këtë segmente janë regjistruar shumë aksidente një pjesë e konsideruar e të cilave me pasoja fatale për jetën e qytetarëve. Përgjithësisht viktima në këtë rast janë kalimtarë të cilët tentojnë të kalojnë nga njëra anë e rrugës në anën tjetër.

Shqetësimi

Rruga e Plazhit të Durrësit e tejngarkuar në sezonin e verës ka disa nyje me semaforë si mundësia e vetme për të mbajtur nën kontroll trafikun e mjeteve dhe kalimin e këmbësorëve për të dalë në anën të detit, ose në drejtimin e anasjelltë. Por semaforët dhe as vazot që herë vendosen dhe herë hiqen,në këtë rast nuk kanë mundur të kryejnë funksionin e një rregullatori dhe pasojat kanë qenë të rënda.

Ndërtimi rrugës së Plazhit që nis tek Ura e Dajlanit dhe përfundon në Plepa me një gjatësi prej 3.5 km është bërë në vitin 2004 dhe që asokohe ka pasur shumë vërejtje të cilat nuk janë marrë asnjëherë në konsideratë. Mjetet në këtë rrugë lëvizin me shpejtësi të madhe edhe pse është ndër më të populluarat dhe pasojat deri në humbjen e jetës së kalimtarëve banorë të zonës, apo pushues të ndryshëm kanë qenë të shumta. Gjatë gjithë kësaj gjatësie nuk ka asnjë mbikalim a nënkalim dhe sipas ekspertëve të rrugëve është e pashmangshme disiplinimi trafikut. Tjetër segment që bart në vetvete frikën dhe panikun e aksidenteve të pashmangshme është rruga nga rrethrrotullimi në pjesën perëndimore të Kënetës deri tek mbikalimi në Shkozet.

Rruga është e drejtë, pa kthesa dhe me ndarje. Në dy kryqëzime ka semaforë të cilët në thuajse gjithë kohën janë jashtë funksioni. Edhe kjo rrugë e ndërtuar në mes të një zone shumë të populluar ka regjistruar disa aksidente.Banorët e zonës për të kaluar në anën tjetër të rrugës detyrohen të kapërcejnë rrugën duke u bërë viktima të aksidenteve dhe e gjithë kjo pasi nuk ka asnjë nënkalim apo mbikalim, ndërkohë që mungon plotësisht sinjalstika horizontale dhe vertikale. 

Për policinë e qarkullimit rrugor thuajse i njëjti shqetësim është edhe për autostradën Durrës-Tiranë-Durrës, rrugë e pandriçuar. Efektivat e Durrësit patrullojnë deri në Maminas, pikë që regjistron shumë viktima. Veç sinjalistikës autostrada drejt kryeqytetit dhe në kthim për në bregdetin e Durrësit ka problem edhe lidhur me kushtet e ndërtimit, pedencën, kthesat, sheshpamjen, këndin e ndriçimit, prishje vende-vende të saj e të tjera çështje. Për të mbajtur nën kontroll trafikun, segmentet e mësipërme janë edhe më të monitoruara nga efektivat e policisë së qarkullimit rrugor.

Masat

Muaji shkurt është mbyllur pa asnjë të aksidentuar në rrugët që patrullon seksioni policisë rrugore të Durrësit, seksion që mbikqyrë trafikun nga Maminasi, në kufi me Tiranën, deri tek Përroi Agait, në kufi me Kavajën. Në 50 ditë, që nga 1 shkurti dhe deri me 21 mars në rrugët e Durrësit ka ndodhur vetëm një aksident me pasojë vdekjen në autostradën Tiranë-Durrës. Rasti në fjalë është si pasojë e përplasjes së dy automjeteve të cilët lëviznin në të njëjtin sens dhe për pasojë ka humbur jetën njëri nga drejtuesit. Në tre javët e muajit mars policia ka vendosur 3170 masa administrative dhe janë vënë në gjendje arresti 8 shtetas pasi ata janë kapur duke drejtuar mjetin pa dëshmi përkatëse. Komisar Laçi ka bërë të ditur se efektivat e drejtuara prej tij kanë pezulluar 101 leje drejtimi, ndërsa vetëm për përdorim telefoni në ecje janë ndëshkuar me gjobë 426 drejtues.

“Të 101 rastet e pezullimit të lejes së drejtimit janë kapur nga radarët e vendosur në disa segmente, kryesisht në autostradën Durrës-Tiranë-Durrës,  rrugën e Plazhit dhe atë të Kënetës”,-ka thënë komisar Laçi.

Janë 33 efektiva të seksionit të Durrësit që patrullojnë ditën e natën në akset problematike. Situata e trafikut rrugor në qytet dhe rrugët kryesore të Durrësit ka qenë thuajse kaotike për një kohë relativisht të gjatë. Më e theksuar gjendja pa rrugëdalje rezulton të ketë qenë gjatë dhe pas fushatës zgjedhore të vitit të shkuar, ngase policia e shtetit dhe të gjitha struktuar e saj u vendosën nën presionin e qeverisë dhe segmenteve të politikës në pushtet. Të gjendur përballë presionave dhe amullisë efektivat e policisë rrugore zbehën gatishmërinë duke e lënë trafikun në rrëmujë të plotë.

Gjendja kaotike ka pasuar me një sërë problemesh dhe statistika që tregojnë numrin e madh të aksidenteve. Në qytet parkimet e gabuara, qarkullimi në kundërshtim me kodin rrugor, konsumimi pijeve në kohën e drejtimit, përdorimi telefonit celular në lëvizje, mosmbajtja e rripit të sigurimit, ecja me shpejtësi dhe të tjera manifestime e nxorën jashtë loje policinë rrugore për muaj të tërë. Aktualisht situata është vënë e gjitha nën kontroll dhe kjo vihet re sidomos në rënien e ndjeshme të numrit të aksidenteve.

Sot në qytetin e Durrësit është e pamundur të gjendet një automjet i parkuar në vendin e gabuar, bllokim rruge, guidë në rrugët e bredshme, shpejtë apo zhurma, tregues ky i vënies së plotë të situatës nën kontrollin e efektivate blu. Policia ka vendosur të zbresë nga timoni çdokënd që shkel Kodin Rrugor si dhe të dërgojë në dhomat e izolimit personat që drejtojnë mjetet pa dëshmi drejtimi. Masa të tilla të rrepta kanë dhënë efktet e veta në një periudhe shumë të shkurtër, ndërkohë që efektivat e policisë së seksionit rrugor ndihen tërësisht të motivuar për të zbatuar ligjin.

/Gazeta Bulevard/