Nga Gjergj Thanasi

Durrës, 25 mars 2014– Në Durrës sot u mbajt takimi konsultues i projektit “Star” mbi reformën e ardhshme administrative-territoriale. Në takim merrte pjesë Ministri për Çështjet Vendore Bledi Çuçi, deputeti Bashkim Fino, kryebashkiaku Vangjush Dako, prefekti Rolant Xhelilaj, ndërsa në sallë gjendej Kryetari i Këshillit të Qarkut Durrës, deputetë të qarkut, kryebashkiaku i Shijakut etj.

Takimi nuk ngjante me takime rutinë të kallëpit më ka çuar nëna për të larë gojën. Ndryshe nga qeverisja e mëparshme, ku në takime të tilla marionetat lexonin fjalim-hartimet e parapërgatitura dhe mbyllej me kaq pazari, ky takim pati risi debatin. Kjo ishte risi jo vetëm me qeverinë e shkuar, por edhe me aktivitete publike të qeverisë së re të mbajtura në Durrës. Fjala vjen në inagurimin e zyrës së re të punës në Durrës në  fjalimet e mbajtura nga Kryeministri, ministri, drejtori i përgjithshëm në ministri, kryebashkiaku Dako madje edhe nga shefi i një OJQ-je të quajtur “Biznes Albania”, përsëritej e përsëritej fraza: Zyra e vjetër e punës ishte në një rrugicë, ku me zor i gjeje derën etj.etj. Pra një rutinë e mërzitshme, që nuk i shërbente vetë qëllimit të inagurimit të zyrës si shembull i një qeverisje ndryshe, i një qeverisje të standartit europian.

Në këtë dëgjesë publike pati një debat të këndshëm, një risi befasuese. Kryebashkiaku Dako me kompetencë dhe argument iu kundërvu ideve të moderuara të deputetit Fino dhe kërkoi shkurtim drastik të numrit të njësive vendore. Dako kërkoi që nga 384 numri i tyre të ulej në 40, duke eliminuar njësitë vendore parazitare-vegjetuese. Kundërvënia e Dakos ndaj Finos ishte e argumentuar dhe interesante, sepse Fino është personalitet i PS-së, ish-kryeministër, ish zv/kryeministër, me njohuri të gjera për autonominë lokale si ish-kryebashkiak i Gjirokastrës dhe ish-ministër i pushtetit lokal.

Kryebashkiaku Dako debatoi me elegancë duke bërë për vete edhe humorin e audiencës në sallë edhe me Ministrin për Çështjet Vendore Bledi Çuçin. Dako e kundërshtoi idenë e ministrit për ringjalljen e njësisë lokale të rrethit të shkrirë, që në vitin 2000. Dako kundërshtoi edhe pasjen me detyrim të këshilltarëve bashkiakë në bashkitë e reja, që do të vinin ekskluzivisht nga ish njësitë lokale, që do të shkrihen në kuadrin e reformes administrative. Në debat me elegancë u përdorën edhe batuta tip “leku i ri leku i vjetër”, apo krahasime me Komunën e Skëndërbegasit dhe ish rrethin e Gramshit.

Në mungesë të opozitës super mazhoranca thuajse 90 deputetëshe siç duket është e detyruar jo vetëm të qeverisë, por edhe t’i bëjë oponencën vetvetes si në këtë rastin e Durrësit.

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/