25 mars 2014 – Një nga llojet e reja të krimit, që po ndeshet edhe në Shqipëri, është pedopornografia. Policia postale italiane në sajtin napoletan “Diario Partenopeo” jep informacion mbi një sërë suksesesh të policisë postale italiane në luftën kundër këtij krimi.
Një nga problemet, që ngrihen në artikull është shtimi i denoncimeve për pedopornografi në Rajonin e Kampanisë, me kryeqendër Napolin. Agjentët e policisë italiane kanë zhvilluar hetime delikate në bashkëpunim me kolegët shqiptarë në këtë drejtim. Sipas italianëve, në Shqipëri janë kryer kontrolle banesash dhe identifikim personash, të cilët më pas janë bërë objekt i autoriteteve gjyqësore shqiptare.
Na tërheq vëmendjen fakti, që policia shqiptare, ndërsa nxiton të bëjë publike edhe mikrosuksese të tilla si kapja e një personi duke ngarë motorçikletë ” Li Fang” pa leje drejtimi, apo kapja e ndonjë hajduti të rëndomtë xhepash, nuk jep asnjë të dhënë për të tilla krime të karakterit ndërkombëtar. Këto krime me pjesëmarrjen e shqiptarëve janë të sofistikuar dhe shumë të vështira për t’u zbuluar nga policia jonë pa ndihmën e partnerëve të huaj. Në këtë rast nuk ka vetëm shpërndarje materialesh pedopornografike, por edhe prodhim ilegal të tyre në Shqipëri duke përdorur për filmime e fotografime fëmijë shqiptarë.
/gje. th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





