DURRËS, 25 mars 2014 – Në dymujorin e parë të vitit 2014 vërehet se nëpërmjet portit nr. 2 të vendit, ndonëse ka rritje të vëllimit në përpunimin e mallrave, ka një shtim të importeve por pakësim të eksporteve dhe numrit të udhëtarëve e mjeteve me tragete.
Gjatë dymujorit të parë të vitit 2014 në kalatat e portit të Durrësit janë përpunuar 31 831 tonë mallra më shumë se sa e njëjta periudhë e një viti më parë, njofton zyra e shtypit e drejtorisë së përgjithshme ekzekutive të kompanisë publike të Autoritetit Portual Durrës (APD) sha.
Nga anijet dhe tragetet janë përpunuar 526 967 tonë mallra gjithsej, ose 6 për qind më shumë se sa në dymujorin e parë të vitit 2013.
Eksportet kanë shënuar ulje prej 5 për qind, duke zbritur në shifrën prej 220 789 tonë mallra ose 11 650 tonë më pak se e njëjta periudhë e një viti më parë.
Janë përpunuar 306178 tonë mallra importi, me një rritje 17 për qind.
Gjatë janar-shkurtit 2014 numri i udhëtarëve të cilët kanë preferuar të udhëtojnë me tragete ka qenë 77 025, por 3 461 udhëtarë më pak se vjet. Po kështu ka qenë më i ulët numri i veturave, kamionëve dhe trajlerëve të përpunuar ka qenë me 2758 më pak (sivjet: 24 122 mjete, vjet 26 880).
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





