Durrës, 25 mars 2014 – Shitblerjet e tokave në këto 22 vitet e fundit janë shoqëruar nga probleme të vazhdueshme që kanë të bëjnë jo vetëm me mbivendosjet e pronave, por edhe me konfliktet mes pronarëve dhe blerësve për likujdimin e shumës së parave për të cilat është rënë dakord në momentin e nënshkrimit të kontratës.
Një gjë të tillë e ka provuar në kurrizin e tij shtetasi F.C., që 13 vite më parë, pikërisht në vitin 2001, i ka shitur një sipërfaqe prej 3000m2 në zonën e Lalzit, në komunën e Ishmit, 59 vjeçarit nga Durrësi I.K. Ky i fundit, megjithëse në momentin e nënshkrimit të kontratës kishte rënë dakort për të paguar 90 mijë euro për tokën që donte të blinte, nuk është treguar aspak korrekt në respektimin e afateve të vendosura në kontratë.
Përmes mashtrimit, ai për vite me rradhë nuk ka likujduar pronarin e tokës për shumën e rënë dakord. I ndodhur në këto kushte ky i fundit ka denoncuar në polici mashtrimin e bërë nga 59 vjeçari I.K. Ndaj tij, policia ka nisur procedimin në gjendje të lirë për veprën penale “Mashtrim”.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





