Durrës, 25 mars 2014 – Ditët e fundit, në qytetin e Durrësit ka nisur të qarkullojë një sasi valute e huaj falso. Një ditë më parë, pronari i një njësie të këmbimit valutor në Durrës ka denoncuar në polici faktin se një klient i ka dorëzuar 3 prerje 100 dollarëshe për t’i këmbyer në lekë. Pasi ka kryer këmbimin në bazë të kursit dhe klienti është larguar, pronari i njësisë Exchange ka kuptuar se ia kishin hedhur. Kur i ka parë nga afër kartëmonedhat ai ka kuptuar se të treja prerjet 100 dollarëshe ishin të falsifikuara.
Policia po punon për identifikimin e personit, që dispononte kartëmonedhat e falsifikuara, në bazë të karakteristikave fizike të dhëna para efektivëve të rendit nga personi i mashtruar.
Ndërkohë 4 ditë më parë, po në Durrës, u ndalua nga ana e policisë një 17 vjeçare nga Dibra, e cila, gjatë blerjeve në një dyqan kishte tentuar të paguante me një kartëmonedhë 50 euroshe të falsifikuar. Në këtë rast policia nisi procedimin penal në gjendje të lirë për 17 vjeçaren dhe po punon për të identifikuar personat që prodhojnë dhe nxjerrin në treg valutën e huaj të falsifikuar.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





