25 mars 2014 – Nën një çadër supergjigande të ngritur në breg të detit, në gjirin e Lalzit Ilir Meta dhe 500 të ftuarit e tij kanë festuar ditëlindjen e 45-të të kreut të Kuvendit. Ahengu ka mbledhur së bashku, të majtë e të djathtë.
Nga radhët e opozitës, personazhet që i janë përgjigjur ftesës së kreut të kuvendit Meta, janë Majlinda Bregu, Eduard Selami, Genc Ruli, Mesila Doda, Gerti Bogdani e gjithashtu edhe deputeti republikan Agron Duka i cili i qëndron në tavolinë së bashku me vëllain e tij Armando Duka, President i FSHF-së.
Duke përshëndetur të pranishmit, meta theksoi se kjo festë ishte organizuar nga familja e tij për shkak se ai u ka ikur për një kohë të gjatë detyrimeve për festa familjare, përfshi edhe familjen.
“Kur mbusha 30 vjeç, doja të festoja, kur na thirri Pandeli Majko në zyrë. Mendova se do na bënte ndonjë surprizë për ditëlindjen. Por ai tha: “ju kam thirrur, pasi sot NATO do të bombardojë në Kosovë. Që atëherë nuk kam bërë më përpjekje”,- tha Meta.
Muzika popullore duket se ka shoqëruar për një kohë të gjatë atmosferën festive të mbrëmjes. Të ftuar ishin këngëtarët e njohur Endri&Stefi, Juliana Pasha dhe Sidrit Bejleri.
Menuja e mbrëmjes
Fillimisht të ftuarit u gostitën me antipasta, që përbëheshin nga të gjitha llojet e djathrave. Vera që shoqëroi mbrëmjen ishte e cilësisë më të lartë, është ajo e llojit Deschants (Saint-Joseph). Pjata e dytë, kadaif me pana dhe karkaleca deti. Të ftuarve u janë ofruar dhe puro kubaneze të llojit ‘Cooiba’.
600 të pranishëm
Ftesat për ditëlindjen e Metës kanë qenë për rreth 650 persona, por pozitivisht i janë përgjigjur 600. Burime nga stafi i Metës bëjnë me dije se disa nuk kanë ardhur për arsye angazhimesh, ose shërbime jashtë shtetit, ndërsa disa të tjerë si kreu i opozitës apo ish-kryeministri nuk kanë pasur dëshirën të jenë aty.
Disa nga të pranishmit
Nga qeveria: Edi Rama me bashkëshorten
Ministrat: Erion Veliaj, Ditmir Bushati, Saimir Tahiri, Arben Ahmetaj, Milena Harito, etj.
Nga mazhoranca: Gramoz Ruçi, Erjon Braçe, Namik Dokle, Arta Dade, Fatmir Xhafaj, Vangjush Dako, Blendi Klosi etj.
Nga opozita: Mesila Doda, Majlinda Bregu, Eduart Selami, Genc Ruli, Gerti Bogdani etj.
Nga media: Aleksandër Frangaj, Ylli Ndroqi, Carlo Bollino, Mero Baze, Filip Çakuli, Andi Bejtja, Ilva Tare, Remzi Lani, Blendi Fevziu, Artan Hoxha, etj
Torta e stafit
Paraditen e së hënës, stafi i Kuvendit kishte porositur për shefin e tyre, Ilir Metën, tortën që shihni në fotot poshtë. Mbi tortë dukej qartë urimi "G0δzuar 45-vjetorin Ilir".
Urimi i LSI
Ndërkohë Lëvizja Socialiste pë Integrim, partia e themeluar vite më parë nga Ilir Meta, e uroi kryetarin e saj përmes një mesazhi në Facebook. Mesazhi "Gëzuar 45-vjetorin Ilir Meta" shoqërohej me dy foto të Metës, njëra në moshë të vogël si dhe fotoja aktuale e kreut të Kuvendit dhe kryetarit të LSI-së.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





