Durrës, 24 mars 2014 – Arrestohen tre persona, për kanosje me armë zjarri dhe moskallëzim krimi. Pas hetimeve të kryera për zbardhjen e ngjarjes së mëngjesit të së hënës, kur dy breshëri automatiku u shkrepën në ajër në afërsi të shkollës 9-vjeçare “Vasil Ziu” në Durrës, policia ka arrestuar në flagrancë 3 shtetas, të përfshirë në këtë ngjarje.
Policia e Durrësit njofton se janë ndaluar shtetasit Tauland Hasa, 23 vjeç, banues në fshatin Qerret Kavajë; Selim Çelçima, 29 vjeç, banues në Durrës dhe Ismail Troplini, 32 vjeç, banues në Arapaj Durrës.
“Arrestimi i dy shtetasve të parë u krye pasi dyshohet se sot rreth orës 07.45, në lagjen nr. 6 Durrës, në bashkepunim kanë kanosur me armë zjarri automatik duke qëlluar në ajër shtetasin T.F., 40 vjeç, banues në Durrës, ndërsa shtetasi Ismail Troplini u arrestua për moskallëzim krimi. Në vendin e ngjarjes u bllokuan dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale një sërë gëzhojash si dhe një automatik model 56”,- thuhet në njoftimin e policisë.
Mbi shtetasit Tauland Hasa dhe Selim Çelçima rëndon akuza për veprat penale ”Mbajtje pa leje e armëve luftarake” dhe ”Kanosje” parashikuar nga nenet 278/4 e 84 të Kodit Penal, ndërsa 32 vjeçari Ismail Troplini akuzohet për veprën penale ”Moskallëzim krimi” parashikuar nga neni 300 i Kodit Penal.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





