Tiranë, 25 mars 2014 – Qeveria ka vendosur të ndryshojë ligjin “Për ndihmën dhe shërbimet shoqërore”, duke i kushtuar një vëmendje të veçantë personave të cilët jetojnë në qendra rezidenciale. Kështu, sipas projektligjit thuhet se personat të cilët janë të dhunuar dhe kanë marrë një urdhër mbrojtje duhet të kalojnë në qendra rezidenciale. Të drejtën për përfitimin e ndihmës ekonomike mund ta kenë vetëm pas kanë pas daljes nga institucionet e përkujdesjes shoqërore.
Kjo pasi nuk mund të përfitojnë dy herë nga i njëjti burim i programit të “Mbrojtjes sociale”. Një tjetër pikë e rëndësishme e ligjit që ndryshon është edhe për personat që vuajnë dënimin në burgje, të cilët gjatë kësaj periudhe nuk e përfitojnë pagesën. “Ata individë, të cilët vuajnë dënimin me heqje lirie apo trajtohen në institucionet e përkujdesjes rezidenciale publike, të financuara nga buxheti i shtetit, të mos vazhdojnë të përfitojnë pagesat nga sistemi i mbrojtjes sociale, si ndihma ekonomike apo pagesa për aftësinë e kufizuar, gjatë kohës së qëndrimit në institucionet respektive”, thuhet në projektligj.
Po kështu pagesa do të hiqet edhe për familjarët të cilët kanë përfituar statusin e kujdestarit, në momentin kur invalidët qëndrojnë në institucionet e përkujdesjes sociale. Një tjetër risi e parashikuar në projektligj ka të bëjë me personat me aftësi të kufizuara të cilët hyjnë në marrëdhënie pune. Sipas ligjit, këta kanë të drejtën e përfitimit të pagesës së aftësisë së kufizuar përgjatë 24 muajve, kur personi është i punësuar dhe sigurisht përfiton pagën për punën e kryer. Ndryshimet e bëra në projektligj kanë parashikuar edhe shërbimet shëndetësore.
“Është vërejtur që për disa kategori u kërkohet të paguajnë për shërbimet që ofrohen në spitale si në rastet e grave të dhunuara, në gjendje të rënduar fizike, emocionale, shëndetësore-mendore. Kategoritë e personave, të cilëve u ofrohet shërbim rezidencial, të jenë pjesë e skemës së sigurimeve të detyrueshme të kujdesit shëndetësor. Kontributi në fondin e sigurimeve të detyrueshme shëndetësore për këto kategori paguhet nga buxheti i shtetit”, thuhet në relacionin shpjegues të projektligjit. Po kështu, është parashikuar edhe koha e animimit për familjet të cilët aplikojnë për asistencë dhe ajo nuk miratohet. Sipas afateve të caktuara aplikuesi ka të drejtë që brenda 5-7 ditë të ankimojë kërkesën e tij me shkrim, kurse drejtuesi i pushtetit vendor ka të drejtë 10 ditë të kthejë përgjigje.
Ndryshimet që do të pësojë ligji
1- Në nenin 3 të projektligjit bëhet riformulimi i mënyrës së përfitimit të ndihmës ekonomike për individët, viktima të dhunës në marrëdhëniet familjare, ku në vazhdim përcaktohet se përfitojnë ndihmën ekonomike pas daljes nga institucionet e përkujdesjes shoqërore. Kjo pasi nuk mund të përfitojnë dy herë nga i njëjti burim i programit.
2- Ata individë, të cilët vuajnë dënimin me heqje lirie apo trajtohen në institucionet e përkujdesjes rezidenciale publike, të financuara nga buxheti i shtetit, të mos vazhdojnë të përfitojnë pagesat nga sistemi i mbrojtjes sociale, si ndihma ekonomike apo pagesa për aftësinë e kufizuar, gjatë kohës së qëndrimit në institucionet respektive.
3-Do të hiqet pagesa për familjarët të cilët e përfitojnë atë si kujdestarë dhe konkretisht janë rreth 200 persona.
4- Për nxitjen e punësimit të personave me aftësi të kufizuara, ky projektligj në nenin 5 u jep të drejtën e përfitimit të pagesës së aftësisë së kufizuar përgjatë 24 muajve, kur personi është i punësuar dhe sigurisht përfiton pagën për punën e kryer.
5- Kategoritë e personave, të cilëve u ofrohet shërbim rezidencial, të jenë pjesë e skemës së sigurimeve të detyrueshme të kujdesit shëndetësor.
/shqiptarja.com/





