Malajzi, 24 mars 2014 – Avioni MH370 i kompanisë “Malaysian Airline”, me 239 persona në bord, ka rënë në Oqeanin Indian. Zbardhet kështu misteri që prej 16 ditësh rrethonte avionin e nisur nga Kuala Lumpuri drejt Pekinit.

Lajmi është konfirmuar nga kompania malajziane, e cila ka deklaruar se nga rënia e avionit në det nuk ka asnjë të mbijetuar. Sipas kryeministrit malajzian Najib Razak, në bazë të provave të reja është arritur në përfundimin se avioni ka rënë në jug të Oqeanit Indian. Vendndodhja e tij e saktë mendohet se është në lindje të qytetit australian Perth. 

Ai bëri të ditur se familjarët e pasagjerëve dhe stafit të avionit janë njoftuar për humbjen tragjike. Avioni MH370 u zhduk nga radarët më 8 mars, vetëm një orë pasi ishte ngritur nga aeroporti i Kuala Lumpur-it.

Për 16 ditë me rradhë hipoteza nga më të ndryshmet u ngritën për zhdukjen e papritur të avionit. Hetuesit u përqendruan tek pista e terrorizmit, por nuk munguan edhe hipotezat më të pabesueshme si ato të universeve paralele, apo vrimave të zeza në hapësirë.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/