Tiranë, 24 mars 2014 – Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, ka depozituar pranë Prokurorisë së Përgjithshme kallëzim penal ndaj ambasadorit Agim Isaku dhe dy gjyqtarëve Ken Dhima dhe Klorinda Çela. Sipas ILDKP-së, tre zyrtarët akuzohen për mosdeklarim të pasurive.

Në deklaratën e ILDKP-së, thuhet, se ambasadori Agim Isaku ka fshehur burimin e parave për blerje të dy apartamenteve në Tiranë si dhe ka fshehur depozita bankare.

Gjyqtarët Ken Dhima dhe Klorinda Çela kane bërë deklarim te rremë per vlerën e paguar për apartamente dhe kanë fshehur disa depozita bankare. Paditë ndaj 3 zyrtarëve janë bërë për fshehje ose deklarim të rremë të pasurive.

 

Deklarata e ILDKP-së për ambasadorin Agim Isaku

Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave, bazuar në Ligjin nr.9049, datë 10.04.2003,''Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publike'', i ndryshuar, përfundoi kontrollin e plotë të deklaratave të interesave private të subjektit Agim Isaku, me funksion Ambasador. Nga analiza e të gjithë dokumentacionit të administruar në ILDKPKI, lidhur me deklarimin e interesave private të subjektit Agim Isaku dhe korrespondencave të institucioneve publike dhe bankare ka rezultuar si më poshtë: 
1. Fshehje e transaksionit dhe burimit të krijimit të shumës për blerjen e apartamentit me sip.268m2 dhe çmim 147.000 euro, me adresë në rrugën e Elbasanit, Tiranë. 
2. Fshehje e likuiditeteve, zotërim bono thesari në shumën prej 1.900.000 lekë dhe 2.000.000 lekë në emër të subjektit dhe vajzës së tij në Bankën e Shqipërisë. 
3. Fshehje e likuiditeteve, depozitë bankare në shumën prej 60.495 usd në Bankën Intesa San Paolo. 
4. Fshehje e likuiditeteve, bono thesari në shumën prej 1.900.000 lekë në Bankën Intesa SanPaolo. 
5. Fshehje e llogarisë rrjedhëse në shumën prej 169.663 lekë dhe në shumën prej 2.049.087 lekë në Bankën Intesa SanPaolo. 
6. Fshehje e llogarisë së pagës në shumën prej 346.705 lekë në Bankën Intesa SanPaolo. 
7. Fshehje e depozitës në shumën prej 253.327 lekë në Bankën Tirana. 
8. Fshehje e depozitës në shumën prej 9,893 usd në Bankën Tirana. 
9. Fshehje e depozitës në shumën prej 7.076.420 lekë në Bankën Tirana. 
10. Fshehje e llogarisë rrjedhëse në shumën prej 634.975 lekë në Bankën Tirana. 
11. Fshehje e llogarisë në shumën prej 2.780 euro në Bankën Tirana. 
12. Fshehje e llogarisë rrjedhëse në emër të bashkëshortes në shumën prej 1.463.839 lekë në Bankën Tirana. 
13. Fshehje e depozitës së bashkëshortes në shumën prej 7.671.325 lekë në Bankën Tirana.
14. Fshehje e depozites në shumën prej 57.084 Euro në Union Bank. 
15. Fshehje e depozitës në shumën prej 7.000.000 lekë në Bankën Credins. 
16. Fshehje e depozitës në shumën prej 100.000 usd në Bankën Credins. 
17. Mungesë e burimit financiar të identifikuar për blerjen e apartamentit në Tiranë, me sip.110,94 m2, në pronësi të vajzës, në vlerën prej 49.920 euro. 
18. Mosdeklarim të interesave private periodike vjetore për vitin 2010. 
Për sa më sipër, subjekti Agim Isaku ka konsumuar elementët e veprës penale të ''Refuzimi për deklarim, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive te personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi që ka detyrim ligjor për deklarim'', të parashikuar nga neni 257/a i Kodit Penal dhe ndaj tij u depozitua kallëzim penal në Prokurorinë e Përgjithshme, njoftim Ministrit të Jashtëm për shkeljet e konstatuara dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave. 

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/