Tiranë, 24 mars 2014 – Persona të panjohur kanë tentuar të vrasin me armë zjarri këshilltarin e Gjykatës së Lartë, Alban Dokushi. Mësohet se ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit në zonën e ish-Bllokut në Tiranë. Në drejtim të automjetit me të cilin udhëtonte Dokushi është qëlluar me pistoletë.
“Sot në mëngjes është qëlluar në drejtim të automjetit tip “Citroen” në pronësi të shtetasit Alban Dokushi 35 vjeç, me detyrë ndihmës ligjor në gjykatë. Ngjarja ka ndodhur në zonën e ish-Bllokut, ku shtetasi i sipërcituar është qëlluar një herë me armë zjarri tip pistoletë, ku fatmirësisht nuk është plagosur. Në vendngjarje aktualisht po kryen veprimet hetimore dhe proceduriale duke mbledhur dhe administruar provat. Po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit”,– thuhet në njoftimin e policisë.
Sipas policise, automjeti në të cilin ndodhej Dokushi ishte i parkuar në afërsi të kopshtit numër 5 dhe këshilltari ishte duke pritur që bashkëshortja të çonte fëmijët në kopësht. Momentalisht mbeten ende të paqarta shkaqet dhe autorët e ngjarjes, ndërsa policia ka nisur hetimet.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





