Tiranë, 24 mars 2014 – Partia Demokratike, nëpërmjet zëdhënëses Laura Vorpsi, ka denoncuar emërimin në krye të shërbimeve të Portit më të madh në vend të Fisnik Myrtezaj, i dënuar në 2011 me 3 vite e gjysëm burg për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike.

“Edi Rama ia ka besuar shërbimet më të rëndësishme të Portit më të madh në vend, një personi që në janarin e vitit 2011 u  arrestua nga policia për trafik kokaine. Gjykata e Durrësit, 3 vite më parë, e ka shpallur Fisnik Myrtezajn fajtor me akuzën e prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike, duke e dënuar me tre vite e gjysëm burg”,- thuhet në deklaratën e PD.

Opozita shprehet se kjo nuk është pengesë për Edi Ramën që ta bëjë atë drejtor të shërbimeve mbështetëse në Portin e Durrësit.

“Rilindja e Edi Ramës është një dështim i madh, dhe po rezulton çdo ditë një flluskë elektorale, por ama rilindja e Edi Ramës për disa militantë, sidomos për ata që kanë pasur probleme me ligjin dhe drejtësinë, po funksionon për së mbari. E kemi parë Edi Ramën të shfaqet shpesh në portin e Durrësit, me doganierë e konsulentë, duke folur për projekte dhe për të ardhmen, por asnjëherë ai nuk tha se përse një i dënuar me 3 vite e gjysëm burg për trafik kokaine, e ka vënë në krye të shërbimeve të portës hyrëse të Shqipërisë në Adriatik. Këtë ndryshim ka pasur ai parasysh, kur ka thënë se do të bëjë për Durrësin, aq sa nuk është bërë në këto 23 vite”,- u shpreh zëdhënësja e PD.

Sipas saj, faktet tregojnë të kundërtën. Dhe fakti më i fundit është alarmant, për sigurinë e portit të Durrësit, për sigurinë e kufijve tanë, dhe është një akuzë e drejtpërdrejtë për kriteret që vë në zbatim Edi Rama teksa emëron rilindasit e tij.

Vorpsi tha se çdo orë që kalon me heshtjen e Kryeministrin, e rëndon edhe më shumë dhe e bën edhe më përgjegjës Edi Ramën për inkrimimin e posteve kyçe të administratës shqiptare.

 

Deklarata e plotë e zëdhënëses së Partisë Demokratike

Edi Rama ia ka besuar shërbimet më të rëndësishme të Portit më të madh në vend, një personi që në janarin e vitit 2011 u  arrestua nga policia për trafik kokaine.

Gjykata e Durrësit, 3 vite më parë, e ka shpallur Fisnik Myrtezajn fajtor me akuzën e prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike, duke e dënuar me tre vite e gjysëm burg. Po kjo nuk është pengesë për Edi Ramën që ta bëjë atë drejtor të shërbimeve mbështetëse në Portin e Durrësit.

Rilindja e Edi Ramës është një dështim i madh, dhe po rezulton çdo ditë një flluskë elektorale, por ama rilindja e Edi Ramës për disa militantë, sidomos për ata që kanë pasur probleme me ligjin dhe drejtësinë, po funksionin për së mbari. E kemi parë Edi Ramën të shfaqet shpesh në portin e Durrësit, me doganierë e konsulentë, duke folur për projekte dhe për të ardhmen, por asnjëherë ai nuk tha se përse një të dënuar me 3 vite e gjysëm burg për trafik kokaine, e ka vënë në krye të shërbimeve të portës hyrëse të Shqipërisë në Adriatik.

Këtë ndryshim ka pasur ai parasysh, kur ka thënë se do të bëjë për Durrësin, aq sa nuk është bërë në këto 23 vite. Faktet tregojnë të kundërtën. Dhe fakti më i fundit është alarmant, për sigurinë e portit të Durrësit, për sigurinë e kufijve tanë, dhe është një akuzë e drejtpërdrejtë për kriteret që vë në zbatim Edi Rama teksa emëron rilindasit e tij.

Çdo orë që kalon me heshtjen e Kryeministrin, e rëndon edhe më shumë dhe e bën edhe më përgjegjës Edi Ramën për inkrimimin e posteve kyçe të administratës shqiptare.

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/