Itali, 24 mars 2014 – Karabinierët e qytezës turistike të Riçiones (Riccione) arritën të neutralizojnë një bandë të rrezikshme hajdutësh shqiptarë. Banda godiste kryesisht banesa dhe dyqane në qytetet e Rivierës si Ricione, Katolika, Mizano Adriatiko e deri në qytetin e Ferrarës. Ata për të kryer vjedhjet përdornin makina të vjedhura, të cilat i ndërronin shpesh, për të mos u pikasur nga policia.

Banda përbëhej nga Mark Ndreca 27 vjeç,Ervis Gjova 25 vjeç dhe dy vëllezër Gjovalin Lleshi 24 vjeç dhe Tom Lleshi 28 vjeç. Ky i fundit kishte precedentë penalë për armë, plagosje me armë, vjedhje me dhunë etj. Tipik është rasti i 8 qershorit 2009, kur Lleshi në bashkëpunim me një mikun  e tij me precedentë penalë Hasan Spahiu (27 vjeç) kishin plagosur me një pushkë automatike të vjedhur, marka “Berreta” kalibër 12mm një arab nga vendet e Magrebit.

Karabinierët kanë mundur të sekuestrojnë mallrat e vjedhura me vlerë mbi 100 000 euro (në foton poshtë), si orë të çmueshme, lingota argjendi, zbukurime floriri, celularë, telekamera, impiante stereo etj. Po ashtu i kanë sekuestruar bandës edhe tre makina të vjedhura dhe rreth 20 celularë si edhe sasi parash kesh në euro, dollarë, franga zvicerane dhe lekë shqiptarë.

/gje. th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/