Turqi, 23 mars 2014 – Forcat ushtarake turke njoftuan rrëzimin e një avioni luftarak sirian, që sipas kryeministrit turk, Recep Taip Erdogan kishte shkelur hapësirën ajrore të Turqisë. Raportohet se avioni është rrëzuar në afërsi të një zone kufitare me Sirinë, ku prej muajsh forcat rebele dhe ato të qeverisë së Bashar al-Assad po luftojnë për kontrollin e një pikë-kalimi doganor. Kryeministri turk përgëzoi forcat ushtarake për aksionin. “Përgjigjja jonë do të jetë e vendosur dhe e ashpër për këdo që mundohet të shkelë sovranitetin tonë tokësor dhe ajror”, tha ai. 

Ndërkohë Damasku reagoi për atë që e quajti shkelje e vazhdueshme e sovranitetit të tij nga ana e Turqisë në zonën e Latakias. “Sulmi ushtarak i pajustifikuar në pikën kufitare të Kasab-it shkel sovranitetin e Sirisë dhe vërteton edhe njëherë përfshirjen e Turqisë në punët e brendshme të Sirisë”,- thuhej në një deklaratë të Ministrisë së Jashtme siriane. 

Të paktën 100 mijë persona kanë humbur jetën që nga nisja e konfliktit në Siri, tre vite më parë. Luftimet mes forcave rebele dhe atyre qeveritare kanë shkatërruar vendin dhe kanë shkaktuar një krizë humanitare, duke zhvendosur miliona banorë në vendet fqinje dhe vetë brenda Sirisë. 

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/