Itali, 23 mars 2014 – Ndonëse nuk kontrollojnë dot më trafikun e “mishit të bardhë” në Itali, për shkak të mbylljes së ngushticës së Otrantos, shqiptarët vijojnë të zotërojnë kontrollin mbi rrjetet e prostitucionit në shtetin fqinj. Një fakt i tillë del nga një analizë e bërë mbi rrjetin e prostitucionit në vendin fqinjë. Gazeta italiane “La Stampa”, në një shkrim të saj të titulluar “Prostitucioni, në Lombardi fitimi llogaritet në 1 miliard euro”, thekson se tashmë shqiptarët janë kthyer në gjobëvënësit e rumunëve. Sipas kësaj gazete, tashmë vendin e parë përsa i përket femrave që detyrohen të shesin trupin e tyre e zë Rumania. Pas futjes në Europë në vitin 2007, Rumania është kthyer në një nga pikat kryesore të rekrutimit të vajzave për shfrytëzim seksual. Ndërsa për vajzat rumune është mjaft e lehtë të mbërrijnë në Europë, ato që vijnë nga vendet e tjera detyrohen të përshkojnë në kalvar të vështirë. Në disa raste shiten disa herë nga tutorët e tyre dhe u nënshtrohen tipeve të ndryshme të dhunës.
Vajzat nga Europa Lindore
Sipas Nadia Folli-t, nga Caritas-i, pjesa më e madhe e vajzave që vijnë nga vendet e Europës Lindore gënjehen nga të dashurit e tyre, që u premtojnë një jetë më të mirë dhe punë në Itali. Por në momentin që shkelin në Itali detyrohen me anë të forcës të prostituojnë. Sipas Folli-t ka edhe femra që të detyruara nga kushtet ekonomike e dinë se çfarë do të bëjnë kur të vënë këmbë në Itali, por në këtë rast kjo është zgjedhja e tyre.
Seks, drogë dhe armë
Mediat italiane, orët e fundit kanë bërë një bilanc të prostitucionit në vendin e tyre, ku rezulton se të paktën 5 miliardë euro qarkullohen në vit nga grupet kriminale afrikane, rumune dhe shqiptare, ndërsa vetëm në Lombardi bëhet fjalë për 1 miliardë euro. Sipas Paolo Lisi-t, drejtuesit të skuadrës së lëvizshme të Milanos “shqiptarët janë mjaft të organizuar. Sigurojnë të ardhura duke u dhënë terrenin me qira tutorëve rumunë. Nga Tirana dhe rrethinat vijnë grupe të organizuara kriminale, që janë degëzuar në disa struktura. Disa subjekte operojnë në Itali dhe të tjerë udhëtojnë në Shqipëri. Pastaj, paratë e mbledhura nga qiraja e trotuarit, i riinvestojnë në drogë dhe armë. Në shumë raste përdoren të njëjtat vajza prostituta si shpërndarëse droge”.
“Nuk mund të them se janë të skllavëruar të gjitha vajzat, ka raste të ndryshme”, thotë Emmanuel Zorini. Në këto grupe kriminale janë të përfshirë edhe strukturat e mafies italiane si Camorra, Cosa Nostra dhe Ndragheta, por ato janë të interesuara më tepër në drogë dhe armë. Pavarësisht kësaj këto organizata sigurojnë të ardhura të konsiderueshme nga prostitucioni.
Vetëm në Lombardi, të ardhurat nga prostitucioni vlerësohen maksimale, prej më shumë se 1 miliardë euro. Shifrat e larta marrin edhe më shumë në peshë në krahasim me të ardhurat e zonave të tjera të krimit si armët, falsifikimet, kumari, grabitjet, etj. Vetëm shitja e drogës ia kalon kësaj shifre.
Numri i përgjithshëm i viktimave të trafikimit, në vitin 2013, është më shumë se 120 000 gra, nga të cilat 37 % janë të mitura. Vajzat vijnë nga Nigeria (36 %) , Rumania (22 %), Shqipëria (10.5 %) , Bullgaria (9 %), etj. Moshat shkojnë nga 13 deri 17 vjeç ( 37 %), të moshës 18-30 (52 %) dhe mbi 30 (11 %). Deri në 56 % të femrave raportojnë se kanë vuajtur dhunë seksuale, fizike (32 %) dhe psikologjike (12%).
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





