Tiranë, 23 mars 2014 – Megjithëse java që po lëmë pas u karakterizua nga ditë me mot shumë të mirë dhe temperatura të larta, nuk është e thënë që pranvera të vijë kaq herët. Në ndryshim nga kjo javë, java e fundit e marsit do të nisë me reshje shiu. Në zona të veçanta nuk përjashtohen edhe rrebeshet. Ndërsa termometri do të shënojë deri në katër gradë më pak. Kështu do të na duhet të vishemi pak më trashë, për të mos u prekur nga virozat e stinës.

Sipas parashikimeve të shërbimit MeteoAlb intensitet më të lartë reshjet do të kenë ditët e para të javës së ardhshme. Një mot i tillë thonë metereologët vjen si pasojë e ditëve te nxehta, ku temperaturat maksimale kanë arritur deri në 25 – 26 gradë celcius në qytete si Shkodra p.sh., ku pritet të përqendrohet edhe sasia më e madhe e reshjeve të javës së re.

Gjithsesi sipas shërbimit MeteoAlb pranvera do të jetë më e ngrohtë se normalja, ndërkohë që vera do të vijë më shpejt.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/