Angli, 23 mars 2014 – Një studente 18 vjeçare kuptoi se ishte shtatzënë, vetëm në momentin kur solli në jetë fëmijën e saj, në banjon e shtëpisë së prindërve. Jessica Elikowski, nga Staffordshire, Angli, i është nënshtruar edhe një ndërhyrjeje kirurgjikale në muajin e gjashtë të shtatzanisë, sepse vuante nga dhimbje të forta gjuri dhe shpine. Fëmija e saj po rritej shumë pranë shtyllës kurrizore dhe kjo i shkaktonte dhimbje Jessica-s. Ajo thotë se edhe mjekët nuk kuptuan asgjë. “Kam bërë të gjitha testet e mundshme,- rrëfen vajza e re,- vetëm atë të shtatzanisë jo, sepse menstruacionet i kisha të rregullta”.
Ajo që e bën këtë ngjarje edhe më interesante është fakti se vajza e re po studion për t’u bërë infermiere.
Jessica tregon se dhimbjet nuk iu qetësuan, derisa lindi vajzën që ia ka vënë emrin Lexi. Studentja kishte marrë disa ditë pushim, pasi dhimbjet ishin forcuar mjaft. Kur kujton momentin e lindjes së vajzës ajo rrëfen:
“Shkova disa herë në banjë atë ditë. Mamaja ime erdhi për të më pyetur nëse isha mirë, pasi isha mbyllur në banjo prej rreth 15 minutash. Ajo kuptoi se diçka nuk ishte në rregull dhe njoftoi urgjencën. Në atë kohë unë linda. Mamaja mori foshnjen në duar dhe i hoqi kordonin që i ishte mbledhur rreth qafës. Nuk mund ta besoja. Asnjeri nuk mund ta besonte. Ishim të gjithë të shokuar. Gjithsesi gjithçka shkoi mirë dhe bebi është mirë”,- thotë ajo.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





