DURRËS, 23 mars 2014 – Zbardhen shpenzimet faktike për programin e kulturës dhe turizmit të bashkisë së Durrësit për vitin 2013, që arrijnë në 5 për qind të totalit të shpenzimeve.
Ndonëse, buxheti, për arsye të bllokimeve të ish-mazhorancës së djathtë në këshillin bashkiak dhe ish-qeverisë Berisha, ishte tejet i shtrënguar, shpenzimet arritën në 55 milionë e 360 mijë lekë ose 5 për qind të totalit të shpenzimeve.
Shpenzimet përfshijnë shpenzimet e realizuara në institucionet vendore të kulturës për paga, sigurime shoqërore, shpenzime operative, si dhe projektet për kulturën, ku kanë përfituar të majtë dhe të djathtë (shih tabelën. Burimi: bashkia e Durrësit, qortimi i gabimeve drejtshkrimore: “Dyrrah”-u).
U dhanë paratë për 4 projekte që kishin mbetur pa u financuar në vitin 2012, me një vlerë totale rreth 13 milionë lekë.
Për Festivalin Ndërkombëtar i Filmit u shpenzuan 7,8 milionë lekë (drejtore artistike Anilë Varfaj, bashkëshorte e zëvendëskryetarit të bashkisë së Durrësit Zhulien Varfaj); për Festivalin Ndërkombëtar të Dancit Modern 3 milionë lekë (drejtor artistik koreografi Gjergj Prevazi); për Festën e Detit, Ullirit dhe Mikpritjes Durrsake 1 milion lekë (shoqata “Durrësi); për Festivalin Ndërkombëtar i Muzikës së Dhomës me 997 mijë lekë (drejtore artistike Nevilë Kalaja, përfaqësuese e PD-së në këshillin bashkiak).
Sipas administratës së bashkisë, qendra kulturore “A. Moisiu” ka mbështetur fuqimisht të gjitha veprimtaritë kulturore të zhvilluara në qytet.
Këtu ka funksionuar më së miri trupa e teatrit “A.Moisiu”, e cila ka vënë në skenë disa premiera: “Ëndrra e një nate vere”, “Tri gra, tre divorce, një shtëpi”, “Çamarrokët” etj.
Ka vijuar funksionimi i bandës së qytetit jo vetëm si pjesë e protokollit zyrtar në festa e evenimente, por dhe në koncertet për festat e Nëntorit dhe Krishtlindjet.
Shpërblimi i bandës dhe orkestrës së harqeve ishte rreth 3 milionë e 400 mijë lekë.
Në bibliotekën e qytetit gjatë vitit 2013 ka vazhduar pasurimi i fondit të librave me 1 056 libra për 270 tituj dhe 11 083 periodikë dhe vazhdon skedimi elektronik i librit.
Janë zhvilluar veprimtari të ndryshme për promovimin e librave të rinj, si dhe autorëve durrsakë.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





