Tiranë, 23 mars 2014 – Një shpërthim eksplozivi tronditi orët e para të mëngjesit të djeshëm lagjen “Komuna e Parisit”, në Tiranë. Rreth 200 gramë tritol ishin vendosur në derën e biznesmenit Fotaq Semi, që ushtron aktivitet në tregtimin e vajit ushqimor në vend. Por vendi ku është vënë eksplozivi ka qenë shumë pranë edhe me hyrjen e një inspektori të Tatim-Taksave, Petrika Bardhi. Për fat të mirë nga shpërthimi nuk ka pasur të lënduar, por vetëm dëme materiale. Policia e kryeqytetit nisi menjëherë hetimet dhe bëri 10 shoqërime të dyshuarish apo persona me të cilët tregtari ka pasur konflikte kohët e fundit. Pista kryesore është ajo e konkurrencës, ndërsa po kryhen verifikime nëse autorët kanë ngatërruar shënjestrën dhe mund të kenë pasur objektiv tatimorin për shkak të detyrës që ushtron.

Ekspertët janë përpjekur të gjejnë gjurmë apo filmime të kamerave të sigurisë së bizneseve në rrugë apo përreth pallatit, me qëllim për të zbuluar autorët që vendosën kallëpin e tritolit. Policia mori në pyetje biznesmenin Semi dhe tatimorin Bardhi, të cilët nuk kanë deklaruar ndonjë konflikt të hapur të tyre. Besohet se objektiv ka qenë biznesmeni Semi, pasi banesa e tij ka pësuar më shumë dëmtime. Nga shpërthimi familjet në pallatin shumëkatësh janë përfshirë nga paniku dhe terrori. Ka pasur dëmtime edhe të mureve të apartamenteve të tjera dhe të oborreve në sheshpushim. Ndërkohë që pasi i shoqëroi dhe mori në pyetje 7 persona të dyshuar, policia i la të lirë disa orë më pas, pasi nuk kishte prova.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/