Korçë, 23 mars 2014 – Zbardhen të tjera detaje nga ngjarja e rëndë e regjistruar një ditë më parë në Korçë, kur një 52 vjeçar goditi me sëparë djalin e tij, ndërsa ishte në gjumë. Sipas policies, shtetasi Thoma Sejderasi, 52 vjeç ka masakruar me sëpatë djalin e tij 23-vjeçar, Albano Sejderasi, ndërsa i riu po flinte.
Nga goditjet me sëpatë në kokë, djalit i është prerë veshi, i është dëmtuar hunda si dhe i janë shkaktuar plagë të tjera në trup. Policia informon se ngjarja e rëndë ku mbeti i plagosur Albano Sejderasi ndodhi pasditen e djeshme në lagjen nr.8 të qytetit të Korçës.
Gjatë marrjes në pyetje, autori i krimit ka deklaruar: “Nuk jam penduar aspak. Djali më nxiu jetën. Më shkatërroi mua dhe familjen pasi konsumon drogë dhe më pas na dhunon në shtëpi. Paratë që sjell djali tjetër nga Greqia i ka prishur të gjitha. Nuk na ka lënë asgjë. Një Zot e di se ku i çon dhe çfarë bën. Nuk munda ta duroja më. Atij i ishin errur sytë dhe na rrihte së bashku me gruan. Kishte kohë që bënte një gjë të tillë. I kërkova të reflektonte, të ndryshonte dhe unë do e ndihmoja, pasi ai ishte djali im. Por ai nuk e bëri kurrë, vazhdonte të ishte i dhunshëm me ne, sikur ne ishim fajtorë për jetën e tij. Nuk durova dot, mora sëpatën dhe e qëllova. Gjithçka e kam bërë me vetëdije të plotë dhe nuk jam penduar aspak",- ka thënë Sejderasi.
Sipas policisë lokale, rreth orës 13:45, Thoma Sejderasi është kthyer nga puna në shtëpi. Sapo ka hyrë në banesë, kryefamiljari ka filluar që t'i kërkojë llogari djalit të tij për paratë që i prishte vend dhe pa vend. Kjo e ka acaruar 23-vjeçarin Albano Sejderasin, i cili ka debatuar ashpër me të atin. Sherri ka vijuar me tone të ashpra dhe me sharje të ndërsjella. Më pas, 23-vjeçari është larguar nga kuzhina dhe ka shkuar në dhomën e tij për t'u qetësuar. Përplasjet e vazhdueshme të birin e kanë nxjerrë jashtë kontrollit 52-vjeçarin. I irrituar në kulm, ai ka marrë sëpatën në ballkon dhe ka hyrë në dhomën ku flinte djali. Në sy të bashkëshortes së tij, Thoma Sejderasi ka goditur të birin në kokë dhe më pas në trup, duke e gjymtuar rëndë. Nga goditja e fortë, 23- vjeçari ka humbur njërin vesh dhe është sakatuar edhe në hundë. E tmerruar, nëna e të riut ka nisur të ulërasë me të madhe dhe të kërkojë ndihmë. Uniformat blu kanë shkuar shpejt në vendngjarje dhe kanë arrestuar agresorin. I plagosuri është dërguar urgjentisht në Spitalin Rajonal të Korçës ku i është dhënë ndihma e parë mjekësore. Më pas, ai është dërguar me autoambulancë në Spitalin e Traumës në Tiranë, ku ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore.
Ndërkohë ngjarja në familjen Sejderasi ka shokuar fqinjët. Ata deklaruan se 23- vjeçari konfliktohej shpesh me prindërit e tij, të cilët janë njerëz të respektuar, të urtë dhe shumë punëtorë.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





