22 mars 2014 – Shkëlzen Berisha, djali i ish-kryeministrit të vendit, po kalon kohë me fëmijët e tij, Medina dhe Lajdoni, me të cilët, për shkak të ndarjes nga bashkëshortja Sadije Berisha, nuk shihet më shumë shpesh.
Sigurisht, komunikimi i tyre vazhdon të jetë i rregullt, por takimet jo edhe aq. Babai simpatik është zhvendosur këto ditë në Francë me të vegjlit e tij dhe mbesat e vogla (dy nga vajzat e Argitës), pas ftesës së disa të afërmve atje. Shkak për këtë udhëtim në fakt është bërë vajza e tij Medina, e cila vetëm pak ditë më parë ka festuar ditëlindjen dhe si dhuratë nga babi ka marrë këtë udhëtim.
Fëmijët kanë bërë një vizitë historike, duke parë qendra të rëndësishme të qytetërimit francez. “Bluetooth” sjell sot fotot, në të cilat fëmijët duken shumë të lumtur krah të atit, por edhe krah kushërirave, të cilat janë shoqëruar në këtë udhëtim nga babai i tyre Jamarbër Malltezi.
Sadija në Facebook: Fëmijët kanë nevojë për kohë, jo për para
Por ndërkohë, gjatë ditëve të fundit, në faqen e Facebook-ut të Sadije Berishës, ish-bashkëshortes së Shkëlzenit, kanë zënë vend disa postime ‘ankuese’ mbi babain e dy fëmijëve të saj. Në një prej fotove të publikuara, Sadija thotë se ‘prind i mirë është ai që shpenzon kohë me fëmijët e tij dhe jo ai që shpenzon para’, në përgjigje të së cilës duket se vjen edhe ky udhëtim i Shkëlzenit me fëmijët.
Ndërkohë, në postimin tjetër që korrespondon me ditëlindjen e Medinës, Sadija shkruan: ‘Medina nuk donte dhurata, e vetmja gjë që ajo kërkoi ishte familja e bashkuar’. Ndonëse me mungesën e së ëmës, me të cilën shpenzon pjesën më të madhe të kohës, Medinës i është plotësuar deri diku dëshira, pasi përveç të atit, ka pasur pranë edhe dy kushërirat e saj, vajzat e hallës.
/Bluetooth/





