Itali, 22 mars 2014 – Nuk do të shkojë në burg, të paktën për momentin, sipërmarrësi italian, Antonio Monella. Në fillim të këtij muaji Gjykata e Kasacionit në Itali e dënoi me 6 vjet e 2 muaj burg, Monella-n për vrasjen e të riut shqiptar, Helvis Hoxha, i cili po tentonte t’i grabiste makinën. Gjykata e Mbikqyrjes në Brescia ka pranuar kërkesën e avokatëve mbrojtës të Monella-s për të shtyrë ekzekutimin e dënimit. Sipërmarrësi italian për të paktën 6 muaj do të jetë i lirë. Në mbështetje të Monella-s u shpreh edhe partia Lega Nord, e cila kërkon faljen e tij.
Ngjarja
Në 6 shtator të vitit 2006, Antonio Monella, qëlloi me armë gjahu 19-vjeçarin shqiptar , Helvis Hoxha, i cili me bashkëpunëtorë të tjerë ishte duke u përpjekur të grabiste makinën tip “Mercedes Sl”, të parkuar në oborrin e shtëpisë së italianit, në rrugën “Verga” të Bergamos. Pas ngjarjes, sipërmarrësi ka mbrojtur veten, duke thënë se qëlloi për t’i trembur hajdutët.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





