Tiranë, 22 mars 2014 – Deri në datën 15 maj përfundon regjistrimi individual i çdo përdoruesi që është pjesë e grupeve apo kontratave të përbashkëta deri në 20 numra celularë, karta SIM, aktualisht të regjistruar në emër të 1 pajtimtari të vetëm. AKEP njofton operatorët të mbyllin në kohë këtë procedurë.

“Për të realizuar këtë detyrë operatorët celularë duhet të përdorin të gjitha mjetet e informimit që disponojnë si SMS ose thirrje telefonike. Mesazhi duhet të dërgohet te të gjithë pajtimtarët dhe të përmbajë kërkesën për verifikim dhe plotësim të dhënash për çdo pajtimtar të rrjeteve celulare përkatëse”, – thotë AKEP.

Sipas tij, regjistrimet do të kryhen mbi bazën e Formularit të miratuar nga Këshilli Drejtues i AKEP me Vendimin nr.2422, datë 19.02.2014.Ndërkohë grupet e identifikuar që kanë deri në 20 Karta SIM do të kenë përparësi si në njoftim ashtu edhe në kontaktim alternativ deri në eliminimin e kësaj marrëdhënie në grup. 

“Operatorët celularë duhet të informojnë AKEP mbi përfundimin e detyrës së mësipërme më datë 15 Maj 2014”, – përfundon njoftimi.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/