Tiranë, 22 mars 2014 – Sot më 22 mars shënohet dita e parë e demokracisë, ku drejtues të Partisë Demokratike kanë uruar të gjithë demokratët, duke përkujtuar se me votën e lirë ata rrëzuan poshtë regjimin komunist.

Ish-lideri i të djathtëve, Sali Berisha, në një postin në rrjetin social “Facebook” shkruan:

Gëzuar 22 marsin ditën e parë të lirisë dhe dinjitetit tonë, ditën që ne, me votën e lirë rrëzuam diktaturën e regjimit barbar hoxhist, nisëm ndërtimin e sistemit demokratik në vendin më monist dhe vendin e tretë më të varfër të globit”.

 “Në 22 vite ne ende nuk jemi aty ku e meritojmë, por jemi vite dritë larg asaj kohë. Sot Kosova është e lirë dhe e pavarur, Shqipëria është anëtare e NATO-s, afër marrjes së statusit të vendit kandidat dhe renditet tashmë në grupin vendeve me të ardhura të mesme të larta. Por, sot përsëri vendi ndodhet në një udhëkryq të vërtetë”,-thuhet në mesazhin e urimit të Berishës.

Sipas Berishës, 22 marsi është një kushtrim, është një apel për të gjithë ata që e duan këtë vend. “Ekzekutivi i vendit drejtohet nga një i sëmure psikik, i mjekuar për vite e vite për sindromë bipolar dhe që me energjinë e tij negative rrënon çdo ditë këtë vend. Të ngrihemi për të shpëtuar Shqipërinë nga shpërthimet i një njeriu të sëmurë rënde që di vetëm të rrënojë dhe mashtrojë shoqërinë tonë. Edhe një herë gëzuar 22 marsin, ditën e bardhë, ditën e parë të demokracisë!!”,– përfundon mesazhin e tij Berisha.

Basha: Integrimi i Shqipërisë në BE, mision hyjnor i PD-së

Por edhe kreu i ri i PD-së, Lulzim Basha, ka uruar shqiptarët për 22 marsin. Me një mesazh në “Facebook”, duke uruar shqiptarët Basha është shprehur integrimi i Shqipërisë në instancat e Bashkimit Europian është misioni hyjnor i Partisë Demoktratike.

 “22 marsi 1992 shënoi fitoren e dritës mbi errësirën. Shqiptarët rikthyen sytë drejt perëndimit dhe nisën rrugëtimin europian dhe euro-atlantik. Sot jemi anëtarë të NATO-s, Kosova është e pavarur dhe shqiptarët lëvizin të lirë në mbarë Europën. Integrimi i plotë i Shqipërisë në Europë është misioni hyjnor i Partisë Demokratike që e nisi këtë rrugë me 22 mars 1992!”,- thuhet në mesazhin e urimit të Lulzim Bashës.  

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/