Tiranë, 22 mars 2014 – Kryebashkiaku i Tiranës, Lulzim Basha, gjatë ditës së sotme ka akuzuar qeverinë Rama, e cila sipas tij, ka bllokuar punën e bashkisë. Basha i ka bërë thirrje kryeministrit Rama të heqë dorë nga lufta që po i bën bashkisë, pasi po lufton qytetarët e Tiranës.

Bashkisë së Tiranës i është shpallur një luftë politike, që nga varrezat deri te bllokimi i bulevardit të ri. Bllokimi i bulevardit, është bllokimi i fundit që Rama po u bënë qytetarëve. Qytetarët kanë të drejtë të pyesin pse, kur kjo nuk iu vlen qytetarëve dhe as bashkisë. Iu vlen vetëm atyre që nuk kanë asnjë ofertë për qytetarët dhe që xhelozohen për punët e mira që po kryhen. Qytetarët kërkojnë punë, Edi Rama po i shkatërron vendet e punës, qytetarët duan siguri, Edi Rama thotë se kriminelët vrasin njeri-tjetrin. Kur ke këtë bilanc zero, i sulesh bashkisë sepse e ke halë në sy. Hiq dorë nga lufta kundër bashkisë së Tiranës, sepse po lufton qytetarët e Tiranës. Hiq dorë sa nuk është vonë, në të kundërt qytetarët do të dinë që të japin atë që meriton”,- u shpreh Basha.

Basha ka marrë pjesë sot në inaugurimin e “Rrugës së Kokonozëve”, në kryeqytet. Ai e cilësoi atë një arterie të rëndësishme drejt lidhjes me komunën Dajt. Basha theksoi se, më në fund bashkia e Tiranës ka marrë përgjegjësitë e saj dhe i ka dhënë banorëve të zonës një infrastrukturë moderne, me kanalizime dhe pemë të ndryshme.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/