Durrës, 22 mars 2014 – Dy aksidente automobilistike janë regjistruar në harkun kohor të 24 orëve të fundit në Durrës. Fatmirësisht personat e përfshirë në këtë aksidente nuk janë dëmtuar rëndë dhe fatmirësisht janë jashtë rrezikut për jetën.
Në një aksident të regjistruar mesditën e së premtes në Shëtitoren “Taulantia” kanë mbetur të plagosur një çift të fejuarish, që po udhëtonin me një motoçikletë. Dy të rinjtë, O.D., 21 vjeç dhe e fejuara e tij janë aksidentuar nga një automjet tip Benz me targa AA483DS. Burime policore saktësojnë se shtetasi A.M., 40 vjeç, nga Durrësi, i cili po udhëtonte me automjetin e tij ka humbur kontrollin dhe për pasojë është përplasur me motoçikletën ku ndodheshin dy të rinjtë. Efektivët e rendit, pasi kanë kryer veprimet e nevojshme proceduriale, kanë nisur procedimin në gjendje të lirë për 40 vjeçarin, që akuzohet për veprën penale “Shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor”. Mësohet se dy të rinjtë e aksidentuar, pasi kanë marrë ndihmën e parë mjekësore, janë larguar drejt shtëpive të tyre.
Ndërkohë, një tjetër aksident me pasojë plagosjen e një fëmije 4 vjeçar është regjistruar në aksin rrugor Spitallë-Porto Romano. Mësohet se një 28 vjeçar, A.A., nga Durrësi, ndërsa ishte duke lëvizur në këtë aks me automjetin Ford kamionçinë, me targa TR9917N, ka aksidentuar këmbësorin S.D., 4 vjeç. Vogëlushi i aksidentuar ndodhet në spitalin e Durrësit jashtë rrezikut për jetën. Policia ka nisur procedimin penal në gjendje të lirë për 28 vjeçarin, i cili akuzohet për konsumimin e veprës penale “Shkelje e rregullave te qarkullimit rrugor”.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





