Tiranë, 22 mars 2014– Partia Demokratike ka denoncuar sot emërimin në krye të Spitalit Rajonal të Kavajës, të personit që ishte kapur nga policia me ilaçe pa pullë. Në një deklaratë për mediat zëdhënësja e PD-së, Laura Vorpsi, ka thënë se rilindasi që është emëruar drejtor i spitalit rajonal, Agron Beu, është arrestuar nga policia në vitin 2009 për kontrabandë ilacesh.
“Beu ishte mjek kirurg në atë kohë, por kishte dhe një farmaci të tijën. Ai udhëtonte shpesh në Itali, mbushte makinën me ilaçe pa pullë dhe i tregtonte në farmacinë e tij. Policia në atë kohë e vëzhgoi shumë gjatë aktivitetin e mjekut kirurg dhe e kapi në flagrancë me medikamente që arrinin shumën 10 mijë euro”,- tha ajo.
Sipas Vorpsit, sot, beu i rilindjes, është bërë Drejtor i Spitalit rajonal.
“Me këtë rast, ai ka zhvendosur edhe farmacinë që ta ketë më afër aktivitetit të tij, duke e instaluar përballë spitalit. Ju e kuptoni vetë se ku janë të detyruar të blejnë ilaçe pacientët e këtij rrethi. Kjo është shëndetësia falas e Edi Ramën, kjo është rilindje”,- tha ajo.





